Këshilli i Ministrave vendosi përjashtimin nga ndalimi i gjuetisë për qëllime shkencore pasvaksinale të kafshëve të vaksinuara, në kuadër të projektit IPA 2020, “Kontrolli dhe çrrënjosja e sëmundjes së tërbimit – faza IV”, financuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas VKM-së, gjuetia e dhelprës së kuqe për marrjen e kampionëve të dhelprës kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura mjedisore, përgjatë muajit mars 2023. Në VKM përcaktohet që brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet në ditët e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë.
Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, do të angazhohen në të gjithë vendin 39 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, për sigurimin në total të 324 (treqind e njëzet e katër) kampionëve të dhelprave të kuqe.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, pajis me autorizimin përkatës për marrjen e kampionëve të dhelprës së kuqe për çdo qark, punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që marrin pjesë në këtë proces.
Gjatë gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku do të kryhet vrasja dhe marrja e kampionëve nga dhelprat, procesi kontrollohet nga strukturat vendore përgjegjëse për pyjet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, shërbimet veterinare përkatëse dhe Policia e Shtetit.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve do të bashkëpunojë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në lidhje me pajisjen e punonjësve të kësaj agjencie me pajisje (frigobokse) për ruajtjen e kampionëve (kokat e dhelprave).
Punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura pas marrjes së kampionëve (kokat e dhelprave) t’i dorëzojnë këto të fundit pranë shërbimit veterinar rajonal përkatës.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkërendon punën për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe raportimin për përfundimin e kësaj faze të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri./ATA