Ballina Ravijëzime Katër ditë punë në javë, gjen mbështetje të gjerë mes kompanive në...

Katër ditë punë në javë, gjen mbështetje të gjerë mes kompanive në Britani

Nëntë nga 10 kompanitë që morën pjesë në studimin më të madh në botë lidhur me qasjen ndaj një jave pune katërditore, nuk do t’i kthehen më punës me pesë ditë në javë. Punonjësit kanë raportuar nivele më të ulëta stresi dhe ezaurimi mendor, si dhe rritje të produktivitetit.

Katër ditë në javë punë, kjo do të jetë qasja më e re për shumë kompani britanike, sikurse rasti i kësaj kompanie në kryeqytetin e vendit, Londër.

Shoqëria Mbretërore e Biologjisë është pjesë e programit më të madh pilot në botë, për të provuar javën katërditore të punës, studim që përfundoi dhjetorin e kaluar. Programi ishte aq i suksesshëm sa ata po e mbajnë javën katërditore, sikurse 92% e kompanive që e kanë provuar një gjë të tillë.

Nga 61 kompani që morën pjesë, 56 e kanë zgjatur qasjen me katër ditë në javë punë, mes tyre 18, që e kanë shndërruar atë në diçka të përhershme.

“Gjatë periudhës së provës vumë re një rënie në numrin e ditëve që merrnin punonjësit në rast sëmundjeje. Jepnim pushimin mjekësor mesatarisht rreth katër deri në pesë ditë në vit, për një person. Kjo është ulur në më pak se dy, për momentin. Mendoj se është një ndryshim vërtet thelbësor”, thotë Doktor Mark Downs, shefi ekzekutiv i Shoqërisë Mbretërore të Biologjisë.

Si drejtuesit e kompanive ashtu dhe punonjësit raportuan përmirësime në produktivitet.

“Fundjavat mund të jenë mjaft të ngjeshura, flas për fundjavat dyditore. Pra është shumë mirë të kesh atë ditën shtesë. Takon miqtë dhe familjen në dy ditë, kur ata janë të lirë gjithashtu dhe më pas merr atë ditën shtesë të pushimit gjatë javës, për të bërë të gjitha punët që ke ose thjesht për të pasur kohë për veten për t’u çlodhur. Mendoj se ka bërë realisht një ndryshim të madh në shëndetin tim mendor”, thotë Tessa Gibson, punonjëse e Shoqërisë Mbretërore të Biologjisë.

Gjatë periudhës së provës, në të gjitha organizatat që morën pjesë, numri i personelit që largohej nga puna ra me 57%, 90% e punonjësve duan të vazhdojnë javën katërditore të punës dhe 55%, raportuan një rritje të produktivitetit të tyre në punë.

Më e rëndësishmja, deri në fund të provës u vu re një ulje e nivelit të ezaurimit mendor tek më shumë se 70% e punonjësve dhe gati 40% ishin më pak të stresuar. Por java katërditore nuk funksionon për të gjithë.

“Mendoj se një javë katërditore tingëllon mirë në parim, por në praktikë, sa kompani do të jenë në gjendje të mbështesin mirëqenien e punonjësve, nëse ata do të heqin dore nga një javë normale pesëditore për një me katër ditë? Ne punojmë pesë ditë në javë. Punojmë nga ora 10 e paradites deri në orën 16.00 pasdite. Pra shkurtojmë orët që punojmë në ditë, me synimin që punonjësit të kenë atë harmoni mes punës dhe jetës së tyre, por nuk po e shkurtojmë javën e tyre të punës”, thotë Jay Richards, bashkëthemelues i kompanisë ‘Imagen Insights’.

Rezultatet e studimit i janë paraqitur parlamentit britanik. Programi pilot u krye në bashkëpunim mes organizatës jofitimprurëse “4 Day Week Global”, “Fushatës së javës 4 ditore” në Mbretërinë e Bashkuar si dhe organizatës studimore “Autonomy”.