Ballina ED/OP Fushatat ruse të dezinformimit synojnë vendet në zhvillim

Fushatat ruse të dezinformimit synojnë vendet në zhvillim

Terminologjia e përdorur nga Rusia për agresionin në Ukrainë si “operacion special ushtarak” po përdoret në disa vende, falë një fushate dezinformimi të Rusisë, që synon rajone të veçanta të botës. Siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Virxhinia Gunawan, vende në Azinë Juglindore, Afrikë dhe Amerikën Latine janë vënë veçanërisht në shënjestër të propagandës ruse.

Shumë është shkruar për fushatat dezinformuese ruse në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Por analistët thonë se vendet perëndimore nuk janë objektivat e vetëm të përpjekjeve ruse për të lëkundur opinionin publik.

“Në vend që të synojnë Perëndimin si dikur, ata synojnë këto vende në pjesën jugore të globit: vendet afrikane, Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine”, thotë Radityo Dharmaputra, ekspert i politikës ruse në Azi në Universitetin Airlangga të Indonezisë.

“Russia Today”, është media më e njohur ruse e kontrolluar nga shteti. Pasi Rusia nisi sulmin në Ukrainë, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja e ndaluan atë. Në Shtetet e Bashkuara ajo nuk u ndalua, por kompanitë amerikane e hoqën atë nga lista e kanaleve televizive, që mund të shihen në Amerikë.

“Russia Beyond the Headlines” “Rusia përtej titujve” është një platformë mediatike qeveritare ruse më pak e njohur. Ajo përqëndrohet në kulturën dhe identitetin rus dhe i prezantohet audiencës në gjuhën e tyre. Në Indonezi, ku shumica e banorëve i përkasin fesë myslimane, Islami përmendet vazhdimisht.

“Për vite me radhë, Moska është përpjekur ta portretizojë Rusinë si mike të Islamit”, thotë më tej Radityo Dharmaputra, ekspert i politikës ruse në Azi.

Përpjekjet mediatike të Moskës në Indonezi u intensifikuan në vitin 2015, pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri, gjë që nxiti reagim të fortë. Përpjekjet dezinformuese ruse vazhduan pas nisjes së agresionit në Ukrainë.

Mesazhi nuk kishte të bënte me Perëndimin apo Ukrainën, por se si Rusia është mjaft miqësore ndaj Islamit”

“Ata e kuptojnë se kjo po funksion, sepse ky ishte fillimisht mesazhi kryesor në rrjetet sociale indoneziane. Mesazhi nuk kishte të bënte me Perëndimin apo Ukrainën, por se si Rusia është mjaft miqësore ndaj Islamit”,shton zoti Dharmputra.

Ekspertët e sigurisë vërejnë se metoda e përdorur në Indonezi po shfrytëzohet edhe në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.

Kyle Walter është kreu i sektorit kërkimor në kompaninë “Logically”, që punon për të luftuar keqinformimin dhe dezinformimin.

“Ajo që ata bëjnë në vende si Afrika dhe Azia Juglindore, është përqëndrimi në historinë kolonialiste të Perëndimit dhe e përdorin atë si një mënyrë për të pozicionuar Rusinë si një partner strategjik, që shikon përpara”, thotë zoti Walter.

Sipas organizatës së edukimit mediatik “Debunk.org”, qeveria ruse ndau 1.5 miliardë dollarë në vitin 2021 për financimin e platformave mediatike, që ajo kontrollon.

Kjo shumë u trefishua nga janari në mars të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.