Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për DW flet për periudhën e shpalljes së pavarësisë, paketën e Marti Ahtisarit, zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
DW: Kosova shënon 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në atë kohë Ju ishit President i Kosovës, një nga figurat kryesore të shpalljes së pavarësisë, ku e shihni Kosovën 15 vite më pas?
Sejdiu: Kur njeriu mendon për këtë periudhë kohore, nuk mund të mos jetë pa emocione, sepse kemi qenë pjesë e një gjenerate, të cilët kemi përjetuar aktin më të rëndësishëm historik që ka ndodhur, shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pra thjesht është përmbushja e një ëndrre dhe përmbushja e një amaneti të gjeneratave të shumta që janë sakrifikuar për Kosovën. E dyta është ajo që ne e dëshirojmë paralelisht ta ndërtojmë një shtet të gjithë qytetarëve, një shtet që përmbush ëndrrat edhe të të gjallëve, në kuptimin e ecjes, zhvillimit, integrimit dhe qëndrueshmërisë së tij si nga aspekti politik, si nga aspekti ekonomik dhe që mbetet borxh i elitave politike, të cilat kanë kapërcyer nëpër procese zgjedhore që ta përmbushin në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Sigurisht që ka lëvizje të mira, janë ato të etapës së parë të pas shpalljes së pavarësisë në dy-tre vjet tepër intensive të përmbushjes që kemi pasur karshi projektit të Marti Ahtisarit, jo vetëm në pjesën e legjislacionit, por edhe në veprime të tjera edhe politike edhe të relacioneve ndërkombëtare.
Këtu do të veçoja aspektin e njohjeve që duhej të siguronte Kosova, çështjen e integrimeve, në mbajtjen e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me SHBA dhe vendet e tjera. Por paralelisht janë vërejtur edhe ngecje të caktuara, të cilat domosdo kanë ardhur në shprehje edhe për shkak të pengesave subjektive që i janë bërë këtij procesi me mos integrimin e plotë të një pjesë të komunitetit serb në Kosovë, si obstruksione nga Beogradi dhe presione të vazhdueshme mbi atë pjesë të popullatës, sidomos mbi disa nga komunat e veriut të Kosovës. Paralelisht një angazhim jashtëzakonisht bizar dhe dashakeq i Serbisë karshi Kosovës në kuptimin e mos njohjeve ndërkombëtare nga shumica e vendeve që do ta bënin pa pengesë ecjen e saj deri në aspiratën e fundit, përmbushjen e idesë që Kosova të jetë anëtarë e OKB-së.
Mirëpo ajo që paralelisht e gjejmë në këtë kohë është pjesa e mbylljes së një procesi të pavarësimit të vendit edhe me atë formulën shtesë që ka qenë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës dhe hyrja në një etapë që për habi ka zgjuar reagime të reja në kuptimin e insistimit të hapjes së një dialogu të ri. Ne kemi parasysh ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur si p.sh. është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë një vendim që ka sanksionuar të gjitha ato veprime që janë bërë me deklaratën e pavarësisë dhe ID e Kosovës se cila do të jetë, se nuk është në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare, nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244, por paralelisht të hapet një dialog, i cili fatkeqësisht në faza të mëvonshme nganjëherë ka rrëshqitur edhe në terrene që në një formë apo në një formë tjetër kanë goditur atë qasje të përgjithshme të përmbylljes së procesit të përgjithshëm të pavarësimit të Kosovës. Fazë tjetër është njohja e pavarësisë së Kosovës në ato numra që në atë kohë ishte e kënaqshme, karshi edhe lëvizjeve të vazhdueshme tepër bizare të politikës së jashtme të Serbisë dhe partnerëve të saj që të zhbëj aktin e njohjes së pavarësisë.
DW. Deri në vitin 2012 pas shpalljes së pavarësisë kishte një mbikqyrje ndërkombëtare që më pas u hoq. Raportet me partnerët ndërkombëtarë vazhduan në forma të tjera. Si i shihni raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar aktualisht?
Sejdiu: Unë mendoj se pavarësisht që ka përfunduar procesi i mbikqyrjes në aspektin institucional, ajo që ka të bëjë me raportet bilaterale, por edhe me institucione ndërkombëtare, sidomos ato që e kanë mbështetur Kosovën, duhet të jenë të qëndrueshme dhe të zhvillohen edhe më tej. Unë nuk them që të jenë ato raporte që kanë qenë tepër të ngushta nga periudha e mëhershme, siç ishte që nga koha e 1992 që ka qenë një reagim me një domethënie të madhe i presidentit Bush Senior se Kosova paraqet vijën e kuqe, e cila nuk mund të kapërcehet dhe e dyta në fazën e mëvonshme që është karakteristikë edhe intervenimi ndërkombëtar. Ato populli i Kosovës nuk mund t’i harrojë dhe po ashtu gjithë atë investim që ka qenë kur fëmijët dhe bijtë e bijat e nënave amerikane apo edhe të vendeve të tjera kanë rrezikuar vetveten duke bombarduar Serbinë për 78 ditë. Kjo nënkupton edhe pjesën e investimit në politika. Dhe e dyta që është karakteristikë në një fazë të mëvonshme që ndoshta nuk është gjetur formula më e mirë nganjëherë e kuptimit të bashkëpunimit qoftë nga ne qoftë edhe në pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar me ndonjë ide që në një formë apo formë tjetër ka krijuar shqetësime të caktuara.
Është toleruar ideja e Serbisë për të stërzgjatur procese, e cila ka si qëllim kompromentimin e atyre që janë arritur deri tani, është e pamundshme të komprometohen rezultatet si shpallja e pavarësisë, dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Tani projekti i fundit i bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje përfundimtare të raporteve Kosovë-Serbi, mund të jetë më serioz në faza të mëvonshme dhe shpresojmë të punohet më shumë dhe në mënyrë më të ngushtë në kuptimin e analizës dhe gjetjes së një formule dalëse të mirë dhe të përshtatshme për pjesën e ecjes së mëtejme në relacionet ndërmjet dy vendeve. Ideja e stërkequr e Serbisë për një Asociacion me kompetenca ekzekutive është një ide për ta bërë jofunksional shtetin e Kosovës. Ideja e Ahtisarit është e mjaftueshme dhe nuk le dilema. Mund të ketë një tip Asociacioni që është ndërtuar më herët në Kosovë që të jenë mekanizma ndihmës por assesi në cilësi të tjera sikurse insistohet. Pra një tip i tillë i mekanizmave që ta kenë karakterin përfaqësues dhe ekzekutiv, nuk nënkuptojnë tjetër pos përsëritje të idesë të asaj që e gjejmë në Bosnje e Hercegovinë dhe të asaj që e bën Kosovën një vend jofunksional.
DW: Ka një këmbëngulje të pakompromis të komunitetit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkohë, kemi një qëndrim të qeverisë në Prishtinë, e cila thotë se Asociacioni krijon një pushtet të tretë që do ta bëjë jo funksional shtetin e Kosovës. Si e shihni Ju këtë?
Sejdiu: Unë besoj që Kosova ka borxh ta ndërtojë një mekanizëm, por jo si e kërkon Beogradi për komunitetin serb të Kosovës. Mund të krijohet një Asociacion një mekanizëm i bashkëpunimit të ndërsjellë të komunave serbe për çështje të implementimit të politikave që janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, që janë të përputhshme me gjithë sistemin legjislativ të saj dhe me strukturën shtetërore në hierarkinë shtetërore. Çdo insistim i daljes jashtë saj dhe i një mekanizmi që përjashton esencën e të qenurit të Kosovës një subjekt që është tërësia territoriale dhe i mekanizmave të veprimit të shtetit të Kosovës, do të rrezikonte shtetin e Kosovës.
DW: Sa mendoni se është momenti për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, nëse bazohemi në gjithë këtë insistim të komunitetit ndërkombëtar dhe të themelohet Asociacioni dhe të kalohet në fazën tjetër arritjen e marrëveshjes finale?
Sejdiu: Unë mendoj se janë kapërcyer kohë të testimeve të shumta deri tani dhe nëse kjo do të shënonte një garanci të rëndësishme të qëndrueshmërisë së brendshme dhe të plotë të pacenueshmërisë së Kosovës, është mirë që të ecet përpara, por me pjesën e garancave ndërkombëtare paralele dhe në këtë kuptim asgjë më shumë sesa ajo që është projektuar me projektin Ahtisari. Nuk e di që mund të ketë diçka tjetër që do ta rehatonte atë që ne kemi përmbyllur në proceset e deritashme. Asgjë s’duhet të jetë kundër Kushtetutës së Kosovës dhe ju e dini se Gjykata Kushtetuese ka pasur një reagim rreth marrëveshjeve të mëhershme dhe kundërshtisë me qenien e Kosovës me legjislacionin e saj. Pra duhet të jetë gjithçka e përputhshme.
DW: Sa është i nevojshëm një unitet i të gjithë spektrit politik rreth propozimit që është bërë për marrëveshje finale me Serbinë, ndonëse akoma nuk dihen shumë detaje, apo thjesht Kosova ka institucionet e saj dhe qeveria e Kosovës mund të veprojë e vetme meqë kryeministri Kurti në zgjedhjet e fundit kishte një mbështetje të madhe mbi 50%?
Sejdiu: Pesha kryesore e gjithë procesit është që të jetë proces i dobishëm për Kosovën dhe ajo nënkupton inkorporimin e gjithë faktorëve të nevojshëm institucionalë në radhë të parë ata që kanë votën e qytetarëve dhe një analizë edhe në kuvendin e Kosovës pavarësisht strukturës së tij edhe në relacionet pozitë opozitë apo edhe në pjesët e tjera që nganjëherë njerëzit mund të kenë hezitime. Ajo që ne kemi përdorur si praktikë të punës ka qenë që përveç negociatave që ka zhvilluar delegacioni i Kosovës i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, -sepse të gjithë kemi qenë të mandatuar nga Kuvendi i Kosovës-, ka qenë pjesë edhe njoftimi i herë pas hershëme i strukturës së parlamentit dhe miratimi i dokumentit para se të ecet në pjesën e mëtejshme. Kjo për faktin, sepse përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm përveç vizitave që kemi pasur dhe kontakteve deri në projektin final që ai e ka bërë, ai na e ka dorëzuar dokumentin pothuajse gati në të njëjtën ditë në Prishtinë dhe Beograd dhe atë dokument ne e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Diçka çka është e rëndësishme është, jo për të heshtur zërat, por për të gjetur fuqinë e qëndrimit të Kosovës në formulën që ajo do ta pranojë si të dobishme për ecjen e Kosovës më tutje. Në një fazë të caktuar ruhet një pjesë e konfidencialitetit të negociatave, por në fazën e përmbylljes ajo që do të jetë shkrirje e të gjithë ideve të përbashkëta për të marrë një formulë të qëndrueshme, duhet të jetë dhe trajtohet në këtë formë. Ajo që unë mendoj dhe dua të besoj është që SHBA-të si pjesë e këtij partneriteti me pjesën tjetër të faktorit ndërkombëtar evropian pajtohen me idetë e shtruara në dokument, pavarësisht që Serbia mund ta kundërshtojë atë. Unë mendoj të gjendet formula që nuk lejon kohë të mëtejshme, por të veprohet në një formulë që nuk është në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Intervistën e zhvilloi Bekim Shehu