Ballina Aktualitet FILANTROPI SHQIPTARO-AMERIKAN TAFILAJ DEKRETOHET NË KËSHILLIN E AMBASADORËVE SHQIPTARË

FILANTROPI SHQIPTARO-AMERIKAN TAFILAJ DEKRETOHET NË KËSHILLIN E AMBASADORËVE SHQIPTARË

Mund të jetë në logjikën e profesionit të diplomatit që gjërat kryesore t’i trajtojë në prapaskenë. Ky fat, megjithatë, duket se është rezervuar edhe për “Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë”, ekzistencën e të cilit pakkush e di jashtë sferës së ambasadorëve dhe diplomatëve.

Duke mbledhur në gjirin e vet disa dhjetra ambasadorë dhe diplomatë karriere të nivelit të lartë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ky është organizimi i vetëm i këtij niveli që përfshin shqiptarë nga të gjitha trevat.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u themelua në vitin 2018 nga një grup ambasadorësh nën drejtimin e zotit Besnik Mustafaj, ish-ambasador dhe ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Këshilli funksionon si organizatë jo fitimprurëse, e pavarur shoqërore, me karakter jashtëpartiak dhe jopolitik. Këto karakteristika ia mundësojnë Këshillit t’i përkushtohet misionit të vet që në emër të interesave të kombit, të krijojë tonalitetin e duhur moral në mbështetje të politikës së jashtme kombëtare shqiptare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për të ndihmuar në një performancë më efikase dhe më profesioniste të diplomacisë shqiptare, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dekretoi si Anëtar të Bordit Këshillues të tij zotin Ramiz Tafilaj, në mirënjohje të veprimtarisë së tij atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar për çështjen kombëtare, në ndihmë të lirisë, pavarësisë, si dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre amtare.

Përveç kësaj, zotit Tafilaj iu vlerësua nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë edhe veprimtaria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur, përhapur dhe lartësuar vlerat kombëtare shqiptare, çka zoti Tafilaj ka arritur ta realizojë, përpos të tjerave, edhe me anë të botimit dhe përkthimit të librave të historisë dhe kulturës shqiptare prej shtëpisë botuese Jalifat Publishing, por edhe duke organizuar aktivitete kulturore në shërbim të afrimit më të madh të shqiptarëve me popullin dhe liderët amerikanë.

Tashmë në cilësinë e Anëtarit të Bordit Këshillues, presim që zoti Tafilaj të ushtrojë ndikimin e tij në shoqatë në mënyrë që aktiviteti patriotik dhe shumë i rëndësishëm i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë të mos mbetet në prapaskenë, por t’i prezantohet edhe publikut të interesuar.

Klementin Mile