Ballina Aktualitet Shtëpia e Bardhë: Balona kineze përgjimi kanë fluturuar mbi pesë kontinente

Shtëpia e Bardhë: Balona kineze përgjimi kanë fluturuar mbi pesë kontinente

Në të shkuarën katër balona spiune kineze kanë fluturuar mbi Shtetet e Bashkuara mbi vendndodhje që konsideroheshin “me interes për kinezët”, tha Pentagoni të mërkurën, por pa dhënë hollësi se çfarë trajktoresh kishin përshkuar ato, apo nëse kishin kaluar mbi ndonjë objekt ushtarak.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder tha se Shtetet e Bashkuara dispononin informacion rreth këtyre katër balonave kineze përpara se të zbulonin atë më të fundit, e cila mbërriti mbi Alaskë më 28 janar.

Shtëpia e Bardhë tha sot gjithashtu se balona kineze janë vënë re në vende të ndryshme, nëpër pesë kontinente dhe se Shtetet e Bashkuara po komunikojnë me aleatët e tyre mbi këtë çështje. Uashingtoni qëlloi dhe rrëzoi të shtunën me anë të një rakete lëshuar nga një avion luftarak balonën spiune kineze teksa ajo po udhëtonte mbi oqeanin Atlantik në brigjet e Karolinës së Jugut.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se balona po përdorej për vëzhgim dhe lëvizjen mbi Shtetet e Bashkuara e konsideruan një “shkelje të papranueshme të sovranitetit të vendit” nga Kina. Pekini ka këmbëngulur se balona po përdorej për arsye shkencore civile dhe se kishte përfunduar gabimisht në hapësirën ajrore amerikane.

Komuniteti amerikan i zbulimit ka arritur në përfundimin se balona që fluturoi së fundmi në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara është pjesë e një programi të gjerë vëzhgimi të drejtuar nga ushtria kineze.

Lidhja e balonës me Ushtrinë Çlirimtare Popullore, emri zyrtar i ushtrisë së Kinës, u njoftua fillimisht të martën nga gazeta ‘The Washington Post’ dhe më vonë u konfirmua nga rrjeti televiziv ‘CNN’. Balona është pjesë e një flote avionësh pa pilot që është drejtuar pjesërisht prej provincës Hainan, që ndodhet në bregun jugor të Kinës.

‘Washington Post’ citoi disa zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të cilët thonë se me këtë program Pekini ka kryer misione vëzhgimi në vende dhe zona me interes strategjik në zhvillim, përfshirë Japoninë, Indinë, Vietnamin, Tajvanin dhe Filipinet.

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman ka ndarë informacione rreth këtij programi të ushtrisë kineze me 150 diplomatë të huaj në 40 ambasada.

Të martën marina amerikanë nisi të nxjerrë nga thellësitë e oqeanit Atlantik, pjesë të balonës spiune kineze. Ata po përdorin dronë të sofistikuar për të zbuluar dhe gjetur mbetjet e saj. Shefi i Komandës Veriore të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Glen VanHerck, i cili drejton përpjekjet, dhe disa zyrtarë të administratës së Presidentit Biden do të informojnë ligjvënësit amerikanë të mërkurën dhe të enjten.

CNN njoftoi gjithashtu se pjesë të balonës po shqyrtohen tashmë nga një ekip teknikësh dhe inxhinierësh elitë në objektin ku përgatiten forcat e FBI-së në qendrën ‘Quantico’ të Virxhinias.

Incidenti me balonën u bë shkak që Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të anulonte një vizitë të planifikuar në Pekin, e cila synonte të përmirësonte marrëdhëniet e përkeqsuara vitet e fundit mes dy gjigantëve ekonomikë. Një zëdhënës i Pentagonit tha të martën se që nga rrëzimi i balonës Kina ka refuzuar një kërkesë të Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin për të biseduar me homologun e tij kinez Wei Fenghe.