Ballina Aktualitet Katastrofa e tërmetit – Luftë me kohën

Katastrofa e tërmetit – Luftë me kohën

Numri i viktimave të tërmetit në rajonin tuko-sirian vazhdon të rritet. Kërkimi për të humburit në temperaturat rreth zeros bëhet më dramatik. Në Turqi ka mbërritur ndihma nga jashtë, në Siri gjendja është e vështirë.

Ende vazhdon të rritet numri i viktimave në tërmetin katastrofik në Siri dhe Turqi. Temperaturat rreth zero gradë e bëjnë kërkimin e të humburve edhe më të vështirë. Sinoptikanët tuq paralajmërojnë madje për borë dhe shi. Numri i viktimave aktualisht ka kaluar 11.000 vetë (gjendja më 08.02.12:00) Më shumë se 30.000 vetë janë plagosur. Një organizatë amerikane, Pacific Disaster Center bën fjalë për rreth 23 milionë vetë që janë prekur nga katastrofa.

Në Siri tërmeti goditi më të dobtit

Në një kohë që në Turqi ka mbërritur ndihma nga vendi dhe ajo ndërkombëtare, në Siri gjendja është shumë e vështirë. Mijëra vetë ende presin aty për shpëtim dhe ndihmën e parë. Sipas organizatave humanitare siriane qindra familje janë ende nën rrënoja. Tërmeti në rajonin sirian goditi ata njerëz që edhe më parë jetonin në kushte të rënda varfërie. Shumë refugjatë të brendshëm, që para katastrofës jetonin në godina gjysmë të rrënuara duhet të kalonin natën jashtë në temperatura ngrice, bëri të ditur një zëdhënëse e UNHCR-s. Një nga rajonet më të prekura është Idlib, që ndodhet nën kontrollin e rebelëve dhe nuk kontrollohet nga qeveria në Damask.

Për shkak se mungon gjithçka që duhet për shpëtim, puna për kërkimin e njerëzve në rrënoja po ecën shumë ngadalë, bën të ditur organizata humanitare siriane, Helmetat e Bardha. Edhe mjekët janë të mbingarkuar dhe nuk mund të trajtojnë të gjithë të plagosurit, bën të ditur Organizata Monituruese Siriane për të Drejtat e Njeriut.

Ministrja e Jashtme gjermana, Annalena Baerbock ka kërkuar hapjen e të gjithë pikave kufitare për të mundësuar ndihmë më të shpejtë humanitare për Sirinë. Ajo kërkoi që të gjithë aktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe Rusinë duhet të përdorin “ndikimin e tyre tek regjimi sirian që ndihma humanitare të mbërrijë vërtet tek viktimat.” Rusia është aleate e pushtetmbajtësit sirian, Bashar al Asad.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, Khaled Habubati i bëri thirrje BE të heqë sanksionet kundër vendit të tij dhe të sjellë ndihma për sirinë. Qeveria siriane ka siguruar, se ndihmat do të dërgohen edhe në zonat që nuk kontrollohen nga Damasku.



la/tgsch