Ballina Bota 40% e punonjësve rumunë do të lënë punën nëse nuk paguhen më...

40% e punonjësve rumunë do të lënë punën nëse nuk paguhen më shumë

Më shumë se gjysma e punonjësve rumunë (53%), pritet të përfitojnë nga një rritje pagash këtë vit, sipas një sondazhi të kryer nga platforma Undelucram.ro.

Nëse rritja nuk do të ndodhte, 40% e tyre do të hiqnin dorë nga puna dhe do të kërkonin alternativa më të mira. 

Paga mesatare në Rumani ra me 2% në bazë vjetore në tetor, ndërsa inflacioni arriti në 16% në vit. 

Banka qendrore parashikon që inflacioni vjetor të ulet në nivele njëshifrore në tremujorin e tretë të këtij viti, por analistët e pavarur presin norma inflacioni dyshifrore të paktën deri në fund të vitit 2023. 

Sipas sondazhit, një e treta e punonjësve do të kishte nevojë për një rritje prej 20% deri në 30%, për t’i bindur ata të qëndrojnë në punët aktuale. 

“Ky sondazh tregon dëshirën e madhe të punonjësve për paga më të larta këtë vit, duke pasur parasysh klimën ekonomike dhe gjithashtu një synim të ngjashëm nga kompanitë”, tha themeluesi dhe shefi i Undelucram.ro, Costin Tudor. 

“Vëmë re gjithashtu përpjekjet e specialistëve të burimeve njerëzore për të lidhur rritjen e pagave me situatën makroekonomike, por edhe me performancën individuale. Punëdhënësit po mendojnë të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i motivuar punonjësit, edhe nëse nuk mund të përballojnë rritjen e pagave”, shtoi ai. 

Platforma më e madhe online e punonjësve në Rumani, anketoi 446 punonjës nga të gjithë sektorët në fund të vitit 2022, duke përfshirë teknologjinë, shitjen me pakicë, shërbimet shëndetësore, telekomunikacionin, energjinë, ndërtimin, median dhe financat.