Ballina Kulturë E TASH, ÇFARË BËJ… – Tri poezi nga Tahir BEZHANI

E TASH, ÇFARË BËJ… – Tri poezi nga Tahir BEZHANI

 

E TASH, ÇFARË BËJ

 

E tani ç’të bëj në këto çaste të vona nate

Kur dhimbja shtrihet skutave të shpirtit

E lotët mbesin të hutuar bebëzave,

Lidhur kujtimeve nëpër kohë

Ëndrrave të natës u vjen era plagë

Pse ike në pa kthim

E kujtimet mbajnë lotët si në epruvetë

Për eksperiment flake deri në hi zjarri…

 

Udhëtoj  gjurmëve të mbetura rrugëve tona

Hijet përqafohen kudo në ëndrrat e djegura

Dëgjoj ofshamat tua e dënesjet lotuese ndarjeve

Kuturisjet si rrjet merimange floknajës bardh e zi

Zjarrin e mbaj të ndezur si netëve të gjata të dimrit

Kudo që ishim përmendore ngritëm

 

I gjithë ky udhëtim në këtë natë pafund

Më kafshon si dhimbje pa ngushëllim

Pajtimi do ishte mrekulli

Sikur të ishim ndarë në përqafim

Para Zotit të pastër

U deshëm aq shumë…

 

Tani e di

Edhe loti ka mbetur i tretur thellësive

Rrugëtimet flasin pa frenim në etapash kohe

Për të fundit herë dëshiroj të vij

Tek varri në përqafim

Të ta puth atë lapidar dhe të rri

Vetëm pak sekonda sy me sy

Lot më lot

 

E pate thënë

Do takohemi atje diku përsëri

Pragun e derës e patëm dëshmi

Por koha na dogji në largësi

Kujtimet mbeten në vargje poezish-dëshmi

Dashuria nuk vdes as nuk varroset

Por ato takohen mes vete ëndrrave

Gjithmonë flakë e pasosur…

 

FRYMËZIM NATE ME HËNË

Në mesnatë

Në dritaren e dhomës së gjumit

Rrezet e hënës trokitën në vetullën time

Hap sytë

Buzëqeshje e  ngrirë në dritare

Dritë hëne e zverdhur shpateve shikoja

Dallgë gëzimesh ndrydhnin ikjet e ditëve

Gurëzuar mes plasjeve shkëmbore

Freskia e natës miklonte poret e regjura

Ofshamat e helmuara lodrojnë shpateve

Melankolia tretet ecjeve të heshtura

Si shpuzë e hirit në harresë

Do vargje të urta përkundin ëndrrat e fjetura

E trembshëm zgjohen zogjtë e ngujimit

Në dritare sodis yjet si vallëzojnë

Pastaj rrëshqas thellësive të ditës së egër

Dhe dot nuk futem brenda

Pa thënë hëna-ik!…

Sa vështirë

Kërkoj gjilpërën në kashtën e djegur

Duarkryq rri në dritare

Si në lutje Hyjit në ditë festash

Kapërdij dhembjet e pritjeve të reja…

(Gjakovë, tetor 2022)

 

SIKUR TË ISHA

Sa do doja të isha thermi buke

Të ushqeja harabelat e uritur dimrave

Kur mërdhijnë nga netët e gjata me acar

Strehëve të plasaritura të çative

E mjaullimës së maces çfarë t’i bëja

Nuk humbet më shumë se thërrmijat

Nga sofër e fukarasë

 

Nuk di

A do u mjaftonte dhimbja ime të uriturve

Apo e dëshirojnë edhe lotin e tharë në sy

Psherëtimave për t’ua ndalë frymën

Edhe kur dënesja bëhet flakë

 

Gjakovë,dhjetor,2022