Ballina Aktualitet Milanoviç: Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës

Milanoviç: Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës

Presidenti kroat Zoran Milanoviç, tha të hënën se Krimea, gadishulli ukrainas i Detit të Zi i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës. Ai i bëri këto komente duke arsyetuar kundërshtimin e tij ndaj propozimit që Zagrebi t’i ofronte ndihmë ushtarake Kievit.

Në dhjetor, ligjvënësit kroatë kundërshtuan një propozim që vendi të bashkohet me një mision të Bashkimit Evropian në mbështetje të ushtrisë ukrainase, duke pasqyruar ndarjen e thellë midis presidentit Milanoviç dhe kryeministrit Andrej Plenkoviç.

Një kritik i zëshëm i politikës perëndimore në Ukrainë, presidenti Milanoviç ka thënë se nuk dëshiron që vendi i tij, shteti më i ri anëtar i BE-së, të përballet me ato që ai i ka quajtur pasoja potencialisht katastrofale të luftës në Ukrainë.

Ajo që po bën perëndimi për Ukrainën “është thellësisht jomorale sepse nuk ka zgjidhje (për luftën)”, u tha presidenti Milanoviç gazetarëve gjatë një vizite në kazermat ushtarake në qytetin lindor Petrinja, duke iu referuar mbështetjes ushtarake perëndimore për Kievin.

Ai shtoi se dërgimi i tankeve gjermane në Ukrainë do të shërbejë vetëm për ta afruar Rusinë me Kinën.

“Është e qartë se Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës”, shtoi presidenti Milanoviç.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është zotuar të rivendosë pushtetin ukrainas mbi Krimenë e aneksuar nga Rusia në 2014, në një lëvizje që nuk njihet nga shumica e vendeve të tjera.

Rusia thotë se një referendum i mbajtur pasi forcat ruse pushtuan gadishullin, tregoi se qytetarët e Krimesë duan vërtet të jenë pjesë e Rusisë. Referendumi nuk njihet nga shumica e vendeve të botës.

Presidenti kroat Milanoviç kritikoi vendet perëndimore për përdorimin e standardeve të dyfishta në politikën ndërkombëtare, duke thënë se Rusia do të përdorë atë që ai e quajti “aneksim i Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar, si një justifikim për marrjen e pjesëve të Ukrainës.

Ai iu referua shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-1999, në të cilën vendet e NATO-s bombarduan Jugosllavinë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, për të mbrojtur Kosovën me shumicë shqiptare.

“Ne e njohëm Kosovën kundër vullnetit të një shteti (Serbisë) të cilit i përkiste Kosova”, tha ai, duke tërhequr vërejtjen se nuk po e vinte në dyshim pavarësinë e Kosovës por konceptin e standardeve të dyfishta perëndimore.

Zoran Milanoviç, një ish-kryeministër i Kroacisë nga Partia Social Demokrate, ka përqafuar një qëndrim anti-BE që kur mori detyrën kryesisht ceremoniale të presidentit, duke i lidhur politikat e tij me ato të kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban dhe liderit secesionist serb të Bosnjës, Milorad Dodik.