Edhe pas më shumë se 11 muajsh që prej nisjes së pushtimit brutal të presidentit rus Vladimir Putin ndaj fqinjit të tij sovran, vazhdojnë luftimet e ashpra në të gjithë Ukrainën jugore dhe atë lindore. Në fillim të luftës më 24 shkurt 2022, Putin dhe zyrtarët e tij ushtarakë kishin planifikuar një ofensivë që ata besonin se do të zgjaste vetëm disa javë.
Por trupat e tyre nuk kanë arritur shumë suksese ushtarake domethënëse përtej Donbasit Lindor. Ata kanë dështuar të pushtojnë kryeqytetin Kiev, të largojnë presidentin Volodymyr Zelensky, teksa duket se e kanë nënvlerësuar forcën mbrojtëse dhe unitetin kolektiv të Ukrainës.
E mbështetur me armë dhe financim nga aleatët perëndimorë, kjo e fundit ka arritur të frenojnë forcat e Kremlinit, ndërsa ka ndërmarrë disa kundërsulme të suksesshme. Në fakt, ushtarët rusë janë përballur me një rezistencë kaq të ashpër, sa të nxitin frikën se një Putin i zhgënjyer mund të nisë në fund një sulm bërthamor për shkak të zemërimit dhe dëshpërimit.
Gjatë ditëve të para të luftës, ai vendosi në gatishmëri të lartë forcat e armëve bërthamore strategjike të vendit të tij, ndërsa e ka përsëritur disa herë kërcënimin e përdorimit të tyre si një paralajmërim ndaj kundërshtimit të aleatëve të NATO-s. Por a ka vërtet gjasa që Rusia të nisë ndonjëherë një sulm bërthamor kundër fqinjit të saj apo kundërshtarëve të saj më në perëndim?
Patricia Lewis, drejtoreshë e programit ndërkombëtar të sigurisë në grupin e ekspertëve në think-tankun britanik “Chatham House” thotë: “Në kohë paqeje, Rusia ka kontrolle dhe ekuilibra, që të mos i lëshojë aq lehtë armët e saj bërthamore. Që Putin të jetë në gjëndje të lëshojë armë bërthamore, duhet të ndryshojë statusin nga kohë paqeje në kohë lufte.
Nga këtu buron dhe deklarata se ai ‘i vendos forcat e tij në gatishmëri luftarake”.
Ndërkohë profesor Malcolm Chalmers, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, RUSI, thotë se ky formulim nuk është përdorur më parë, prandaj që nuk është “plotësisht e qartë” se çfarë nënkupton Putin me të.
“Unë nuk kam parë asnjë raportim të ndryshimeve në qëndrimet e forcave bërthamore ruse. Natyrisht, nuk kam qasje në të dhënat e klasifikuara, por nuk kam parë raporte si të tilla. Prandaj nuk e di se si mund të ndryshojë situata.
Ajo mund të ketë të bëjë me mekanizmat e veçantë të autorizimit midis presidentit dhe forcave bërthamore, ose ndoshta jo. Është e qartë që kjo teknikë synon të imponojë tërheqjen e vëmendjes tonë. Është krijuar enkas në një mënyrë të tillë, për të na kujtuar ne në Perëndim se Rusia është një fuqi e pajisur me armë bërthamore”– shton ai.
Pasi shpalli më 21 shtator 2022 “mobilizimin e pjesshëm” të 300.000 rekrutëve të tjerë, lëvizje që nxiti largimin nga vendit të shumë të rinjve rusë, Putin e paralajmëroi sërish Perëndimin se nuk po bënte një “shantazh bërthamor”, si për të nënkuptuar se ai mund të jetë duke u përgatitur realisht për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve me arsenalin e tij bërthamor.
Në një paralajmërim të hapur drejtuar NATO-s, ai deklaroi:“Dëshiroj t’ju kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi, dhe në disa aspekte edhe më moderne se ato të vendeve të NATO-s”. Po sa i mundshëm është realisht një sulm bërthamor?
Vitin e kaluar, Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace u përpoq të zbehte frikën e një lufte bërthamore, duke deklaruar se ndërsa i kuptonte shqetësimet, deklarata e Putinit është në kuadrin e një “beteje retorike”.
Por Tom Tugendhat, kryetar i komitetit të punëve të jashtme në parlamentin britanik, tha se Rusia i sheh armët bërthamore në fushën e betejës thjesht si “një zhurmë më të madhe”, dhe se ajo mund të japë vërtet urdhrin ushtarak për t’i përdorur ato. Disa ekspertë deklaruan se është e paqartë nëse Putin do të ndërmerrte apo jo një sulm bërthamor, ndërsa të tjerë e hodhën poshtë këtë skenar, duke deklaruar se shkatërrimi i ndërsjelltë do të ishte shumë i madh.
Edhe profesor Chalmers mendon se ky skenar “është i pamundur”, duke shtuar: “Çdo përdorim i armëve bërthamore do të hapte “Kutinë e Pandorës” dhe mundësinë e përshkallëzimit në përdorimin e më shumë armëve bërthamore. Rusët e kuptojnë këtë dhe po ashtu edhe perëndimi”.
Në kundërpërgjigje ndaj spekulimeve mediatike në gushtin e vitit të kaluar se Kremlini mund të përdorë armët bërthamore, ministri rus Shoigu i cilësoi ato si “gënjeshtra absolute”. “Nga pikëpamja ushtarake, nuk ka nevojë të përdoren armë bërthamore në Ukrainë për të arritur qëllimet e përcaktuara. Qëllimi kryesor i armëve bërthamore ruse është të parandalojë një sulm bërthamor”- tha ai.
Në rast se Rusia do të nisë një sulm ndaj një vendi të NATO-s, ekspertët mendojnë se mund të ketë sulme hakmarrëse nga vendet e tjera të aleancës, duke shkaktuar një konflikt, për të cilin profesori Chalmers thotë se do të sillte “vdekje dhe shkatërrime të përmasave shumë më të mëdha se ato të Luftës së Dytë Botërore”.
Numri i viktimave do të varej nga zona e sulmuara. Armët bërthamore kanë aftësinë të vrasin qindra mijëra njerëz në varësi të popullimit të një zone që vihet në shënjestër. Shumë të tjerët mund të mbeten të plagosur si rezultat i prekjes nga rrezatimi radioaktiv.
Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë, që ka publikuar rregullisht që nga viti 1987 të dhëna mbi arsenalin bërthamorë botërorë, të përpiluar nga ekspertë kryesorë nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, i përditësoi në shkurtin e vitit të kaluar të dhënat mbi arsenalin bërthamor të Rusisë.
Deri 1 vit më parë stoku ishte afërsisht 4.477 bomba bërthamore, nga të cilat rreth 1.588 janë strategjike dhe mund të vendosen në raketa balistike por edhe në baza të rënda bombarduese, ndërsa rreth 977 bomba strategjike shtesë, së bashku me 1.912 bomba jo strategjike, mbahen në rezervë.
Ndërkohë po sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, deri në vitin 2022 Britania e Madh kishte afro 225 bomba bërthamore, SHBA-ja 5.428, Franca 290, Pakistani 165, Kina 350, India 160, Izraeli 90 dhe Koreja e Veriut 20 bomba bërthamore.