Gjermania do të dërgojë tanke ‘Leopard 2’ në Ukrainë si dhe do të lejojë vende të tjera sikurse Polonia, të bëjnë të njëjtën gjë, me synimin për të ndihmuar Kievin në luftën e tij kundër agresionit rus. Lajmi u bë i ditur për agjencinë ‘Reuters’ nga dy burime në dijeni të çështjes, të cilët shtuan gjithashtu se edhe Shtetet e Bashkuara mund të furnizojnë Ukrainën me tanke ‘Abrams’.
Edhe pse deri tani kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Berlini apo Uashingtoni, zyrtarët në Kiev e përshëndetën me shpejtësi atë që ata e quajtën, një ndryshim të mundshëm të rrjedhës së zhvillimeve në fushën e betejës, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e 11-të të saj. Një zëdhënës i qeverisë gjermane dhe ministritë e jashtme dhe të mbrojtjes në Berlin, nuk pranuan të komentojnë për agjencisë ‘Reuters’.
Kievi ka bërë thirrje prej disa muajsh për tanke prodhim perëndimor, që thotë se i duhet dëshpërimisht, për t’u siguruar trupave ukrainase fuqinë e zjarrit dhe lëvizshmërinë për të thyer mbrojtjen ruse, e për të rimarrë ato pjesë të pushtuara të territorit në lindje dhe jug të vendit.