Ballina Kryesore Spahia: Shqiptarët dhunohen nga policia malazeze, asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare

Spahia: Shqiptarët dhunohen nga policia malazeze, asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me 2 rastet e dhunimit të shqiptarve nga policia malazeze.

Spahia akuzon shtetin shqiptar për heshtjen gjithashtu kryeministrin Rama për propagandë në nismën “Open Balkan”.

Ai shprehet se qëndresa indiferente e shtetit tonë nuk i bën aspak mirë raporteve me fqinjët.

“Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare për dhunën në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në doganën e Muriqanit ndaj shtetasve shqiptarë.

E ndërsa heshtja mbetet kryefjalë e palës shqiptare dhe asaj malazeze, një tjetër video ka dalë në rrjetet sociale ku dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Dhuna mbetet një akt i papranueshëm, prandaj e dënoj me forcë këtë sjellje të individëve që mbajnë uniformën e shtetit dhe sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur do të duhej të dëshmohej krejt e kundërta. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mire”-shkruan Spahia.

Ditën e djeshme ka ndodhur një rast i njëjtë me sekretarin e Çështjes Ekonomike dhe Finanave në Partinë e Lirisë, Petraq Milon. Milo ishte i shoqëruar nga bashkëshorja dhe djali kur ra pre e dhunës nga punonjësit e doganës malazeze. Familja është nxjerrë me forcë nga makina dhe është shoqëruar në komisariat.