Procesi i Berlinit duhet të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për Rajonin e Ballkanit në mënyrë që të rrisë zhvillimin ekonomik dhe të ulë pabarazitë sociale.
Sipas Monitor, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare publikoi së fundmi një analizë ku e konsideroi “Nismën e Berlinit” relativisht të dështuar. Studimi analizoi faktorët se pse Nisma e Berlinit nuk përmbushi misionin e saj dhe gjithashtu dha katër rekomandime të reja që kjo nismë të bëhet efektive.
Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania në vitin 2014 si një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë si dhe disa vendeve anëtare të BE-së.
Samiti i parë u zhvillua në Berlin në gusht 2014. Edhe pse nuk është deklaruar kurrë zyrtarisht, samiti lidhej qartë me pezullimin pesë-vjeçar të zgjerimit të BE-së i shpallur nga Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europiant. Në një farë mënyre, Procesi i Berlinit lindi si një gjest për vendet e Ballkanit Perëndimor që ato nuk ishin harruar nga BE-ja dhe gjithashtu një përpjekje për të ruajtur procesin e tyre të integrimit.
Procesi fillimisht ishte parashikuar të zgjaste katër vjet, por vazhdoi edhe më tej. Çdo vit organizohen samite nga vende të ndryshme të BE-së. Deri më tani, ka pasur samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018), Pozna? (2019) dhe samite virtuale të organizuara nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 2020 dhe nga Gjermania në 2021. Samiti i vitit 2022 u mbajt sërish në Berlin.
Procesi i Berlinit ka katër objektiva të deklaruara: zgjidhjen e problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, krijimin e një klime të qetë ndërmjet etnive në rajon, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe krijimin e një baze për rritje të qëndrueshme. Anëtarësimi në BE nuk është objektivi i qartë i procesit.
Procesi i Berlinit, ka pasur rezultate në katër fusha: bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi politik dhe i sigurisë, bashkëpunimi social dhe bashkëpunimi në fushën e ndryshimeve ekologjike.