Gjermania ka humbur atraktivitetin e saj si lokacion biznesi. Në renditjen e publikuar nga Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) të hënën, Republika Federale e Gjermanisë ka rënë me katër vende dhe tani renditet në vendin e 18-të nga 21 vende të krahasuara. Çmimet e larta të energjisë dhe rregulloret e pafavorshme për kompanitë patën një efekt veçanërisht negativ. Ekspertët e vlerësojnë si të keqe edhe barrën e lartë tatimore, edhe pse në këtë fushë ka pasur përmirësime.
“Gjermania si një vend industrial ka humbur shumë nga cilësia e saj,” thotë Rainer Kirchdörfer, kreu i Fondacionit të Biznesit Familjar. Sidomos çmimet e larta të energjisë, për të cilat ne mund të bëjmë pak, duhet të japin një nxitje për të përmirësuar kushtet e tjera kornizë për investime.
Sipas ZEW, një avantazh i madh për Gjermaninë si vend biznesi është borxhi relativisht i ulët i shtetit dhe i familjeve private. Kjo i jep shtetit mundësinë të reagojë ndaj krizave. Por edhe këtu Republika Federale “e cila dikur ishte në një pozitë të mirë, tani ka rënë në mesfushë”, sqarojnë ekspertët.
Kritika ndaj politikës së tatimeve
Fondacioni për Bizneset Familjare, i cili publikon këtë studim, ka bërë thirrje veçanërisht për uljen e taksave. “Kur bëhet fjalë për barrën tatimore për bizneset familjare, Gjermania vazhdon të jetë e parafundit”, shpjegoi fondacioni. Sipas ZEW, Gjermania ka rënë në këtë fushë me reformën e tatimit mbi trashëgiminë e vitit 2016 dhe nuk është rikuperuar që atëherë për shkak të “pasivitetit të vazhdueshëm të politikës tatimore gjermane ndër vite”.