Ballina Aktualitet Emigracioni çështje kryesore në takimin e lartë tripalësh SHBA-Meksikë-Kanada

Emigracioni çështje kryesore në takimin e lartë tripalësh SHBA-Meksikë-Kanada

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se do të vizitojë një rajon të kufirit SHBA-Meksikë në Teksas përpara një takimi javën e ardhshme me udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë, duke e vendosur në qendër të vëmendjes emigracionin, një nga temat e takimit. Udhëheqësit e tre vendeve do të diskutojnë një numër çështjesh në takimin dy-ditor në qytetin e Meksikos.

Tre udhëheqësit do të flasin për një numër të madh çështjesh të me të cilat po përballet Amerika e Veriut, një rajon me mbi 500 milionë banorë dhe me një sipërfaqe gati 20 milionë kilometra katrorë.

Por ndërsa krerët e vendeve të Amerikës së Veriut përgatiten të takohen javën e ardhshme në kryeqytetin e Meksikës, fluksi i pandërprerë i emigrantëve në kufirin jugor të Shtetet e Bashkuara do të jetë në qendër të vëmendjes.

Njesitë e Doganës dhe Rojes Kufitare të Shteteve të Bashkuara janë ndeshur me afro 2.4 milionë raste të kalimit të kufirit tokësor jugor në vitin 2022.

Shumica e njerëzve që kalojnë kufirin janë shtetas meksikanë, por një numër i konsiderueshëm janë gjithashtu emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela.

Përpara takimit të javës së ardhshme, Presidenti Biden njoftoi masa të reja kufizuese për imigracionin dhe tha se do të bëjë një vizitë në kufirin SHBA-Meksikë, një veprim që kundërshtarët e tij e kanë kërkuar për një kohë të gjatë.

“Javën e ardhshme, do të udhëtoj në Meksikë ku do të takohem me Presidentin [Andrés Manuel] Lopez Obrador. Ne kemi një axhendë të madhe që përfshin krizën klimatike, zhvillimin ekonomik dhe çështje të tjera. Por një pjesë e rëndësishme e kësaj axhende është forcimi i kufirit mes vendeve tona dhe unë do ta vizitojë vetë kufirin këtë të dielë në El Paso të Teksasit për të vlerësuar operacionet e rojeve kufitare, për t’u takuar me zyrtarët lokalë dhe drejtuesit e komunitetit dhe njerëzit në kufi”, tha Presidenti Biden.

Disa analistë thonë se përqëndrimi tek problemet në kufi e largon vëmendjen nga çështjet e tjera të rëndësishme mes tre vendeve, të cilat kanë lidhje të konsiderueshme tregtare, kulturore dhe mjedisore.

“Ajo që duhet të ndodhë dhe çfarë mund të ndodhë janë dy çështje të ndara. Mendoj se të tre udhëheqësit do ta shikojnë këtë takim nga këndvështrimi i problemeve të tyre të brendshme dhe do të përpiqen të bëjnë përparim në çështjet që i prekin ata brenda vendeve të tyre. Në Shtetet e Bashkuara, kjo çështje është qartësisht emigracioni”, thotë Eric Farnsworth nga organizata Këshilli i Amerikave.

Por nga diskutimi për këtë çështje mund të përfitojë edhe Meksika, thonë analistët, duke shmangur problemet e saj me sigurinë, trafikun e drogës, demokracinë në rënie dhe një mosmarrëveshje të madhe me Shtetet e Bashkuara mbi politikat e energjisë.

“Presidenti Lopez Obrador po e përdor faktin që emigracioni ka një ndikim kaq të madh politik në elektoratin e Shteteve të Bashkuara si një mënyrë për të detyruar administratën Biden të mbyllë njërin sy ndaj këtyre abuzimeve të tjera në Meksikë”, thotë Mariana Campero nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Analisti Eric Farnsworth u bëri thirrje udhëheqësve të përqëndrohen në vizionin e një Amerike të Veriut të bashkuar.

“Nëse takimi degjeneron në një diskutim të mosmarrëveshjeve tregtare dhe politikave kufitare, dy çështje që mendoj se janë të rëndësishme, por kjo do të thotë se vizioni i një Amerike të Veriut më të bashkuar dhe më konkurruese do të dilte sërish në plan të dytë. Dhe mendoj se kjo do të ishte një humbje e vërtetë për qytetarët e Amerikës së Veriut”, thotë analisti Eric Farnsworth.

Shtëpia e Bardhë thotë se në takimin dy-ditor do të diskutohen shumë çështje.

“Sfidat klimatike dhe mjedisore, përpjekja për ta bërë Amerikën e Veriut një rajon më konkurrues, mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë, reagimi i përbashkët ndaj imigrimit të parregullt në rajon, dhe avancimi i diversitetit dhe barazisë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Por, duke marrë parasysh vizitën e Presidenti Biden në kufirin SHBA-Meksikë para takimit në kryeqytetin meksikan, vëmendja pritet të jetë më e përqëndruar në çështjen e emigracionit.