Ballina Aktualitet UET prezanton dy projekte Jean Monnet/ Ambasadorja e BE-së: Është nder edhe...

UET prezanton dy projekte Jean Monnet/ Ambasadorja e BE-së: Është nder edhe për universitetet europiane të fitojnë programe të tilla

Jean Monnet Centre of Excellence dhe Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation janë dy projektet e reja të fituara nga Universiteti Europian i Tiranës.

Këto programe që financohen nga Bashkimi Europian kanë për qëllim thellimin e njohurive për të kuptuar më mirë BE-në, në të gjitha fushat. Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann theksoi se marrja e këtyre programeve i bën nder universiteteve dhe t’i fitosh nuk është e lehtë as për universitetet europian.

Jean Monnet njihet  si më pragmatiku mes etërve themelues të Bashkimit Europian dhe programet që mbajnë sot emrin e tij, zënë një vend të veçantë në BE.

Kështu do të pohonte ambasadorja e përfaqësisë së BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann, ndërsa Universiteti Europian i Tiranës prezantoi dy projekte Jean Monnet.“Është nder, madje edhe për universitetet europiane të kenë projekte si Jean Monnet Centre of Excellence. Jo të gjithë marrin dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar”- tha Christiane Hohmann, ambasadorja e përfaqësisë së BE-së në Tiranë.

Veç Jean Monnet Centre of Excellence, UET ka fituar edhe projektin Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation.

UET është i pari universitet në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka fituar një projekt Jean Monnet Centre of Excellence.

Rektori i UET, Tonin Gjuraj, tha se për UET është e rëndësishme marrja dhe zhvillimi i dy projekteve Jean Monnet Chair.

“Ky është lajm i mirë, sepse integrimi është kompleks dhe arsimi është një sferë e rëndësishme”- thaTonin Gjuraj, Rektori i UET.

Institucionet që marrin pjesë në projektet Jean Monnet, pritet të mbështetin të ngarkuarin, ose thënë ndryshe chair holder, që në këtë rast është Universiteti Europian i Tiranës në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe veprimtari pasqyruese, duke i lejuar një game të gjerë kurrikulash të përfitojnë nga këto kurse.

Presidenti i UET, Selami Xhepa tha se ky institucion do të jetë chair holder për tre vitet e ardhshëm të këtyre projekteve

“Shpresoj që, me programin të japim kontribut dhe të krijojmë sinergji me qeverinë, me axhendën e integrimit,  me ekipin negociator,  jo vetëm me  kapitujt e ekonomisë por edhe në çështje të tjera me interes.”- tha Selami Xhepa, Presidenti i UET.

Sa i përket numrit të projekteve të fituara, UET është  një prej universiteteve lider në këtë fushë, në Shqipëri.