Ballina Sport Katar, zonat e ndara të tifozëve/ Migrantët vendosen në periferi

Katar, zonat e ndara të tifozëve/ Migrantët vendosen në periferi

Në periferi të Dohas, në Katar, migrantët që ndërtuan infrastrukturën për Kupën e Botës nuk mund të shijojnë asnjë ndeshje, apo atmosferën e krijuar. Autoritetet lokale kanë krijuar një zonë paralele për migrantët, në një zonë industriale të quajtur “Asian Town”. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Iacopo Luzi sjell detaje nga Katari.

Në Doha të Katarit ka dy zona tifozësh ku mund të ndjekësh ndeshjet e Kupës së Botës. E para është zona që njihet si “Corniche e Dohas”, një shëtitore përgjatë bregdetit dhe që pret tifozë nga e gjithë bota.

Sipas autoriteteve deri tani janë pritur deri në 40 mijë njerëz. Kjo zonë e tifozëve është e pajisur me ekrane të shumta gjigante ku njerëzit mund të shikojë ndeshjet, janë zhvilluar koncerte nga këngëtarë të njohur si dhe mund të gjesh një gotë birrë.

Por në këtë zonë të duhet një leje kalimi, që njihet si “Hayya” dhe që blihet nga tifozët që kanë të paktën një biletë për një ndeshje.

Rreth 30 kilometra larg kësaj zonë, në lagjen “Asian Town” është një zonës industriale, pra zona tjetër e tifozëve. Këtu nuk mund të shikoni njerëz nga perëndimi apo birrë. Shërbehet ushqim indian dhe jo “hot dog”. Nuk ka det, nuk ka ndërtesa të larta dhe të ndriçuara, por vetëm kamionë dhe kontejnerë.

Në një stadium të vjetër kriketi, dhjetëra mijëra punëtorë mblidhen brenda, kryesisht nga Azia Juglindore dhe Afrika. Ata jetojnë në këtë periferi të qytetit, të ndërtuar posaçërisht për të strehuar migrantët e Dohas.

“Këtu nuk ka asnjë kërkesë për kartën ‘Hayya’, sepse shumica e njerëzve të zonës industriale janë migrantë. Pra, këtu çdokush mund të hyjë. Është krejtësisht falas”, thotë punonjësi Abdul Basit.

Këta punëtorë, që ndërtuan infrastrukturën për Kupën e Botës, nuk mund të shijojnë frytet e punës së tyre. Për migrantët, që dërgojnë shumicën e të ardhurave të tyre në shtëpi për të mbështetur familjet, kartat “Hayya” janë përtej buxhetit të tyre. Të shkosh për të parë një ndeshje futbolli është një luks që ata nuk mund ta përballojnë.

“Biletat kanë qenë shumë të shtrenjta. Tani janë rritur edhe më shumë. Mendoj për shkak se jemi drejt fundit të Kupës së Botës”, thotë Roya Shidogo, një migrant nga Kenia

Migrantët në Katar vertet nuk mund të shijojnë luksin e turistëve, po ata thonë se janë të lumtur që po punojnë dhe po ndihmojnë familjet e tyre.