Ballina Aktualitet Raporti për vizat, Brukseli kritikon politikën e pasaportave të arta

Raporti për vizat, Brukseli kritikon politikën e pasaportave të arta

Në raportin e pestë për monitorimin e pezullimit të vizave Komisioni i BE-së kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor të heqin dorë nga skemat e dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj.

Në  raportin e tij të pestë për monitorimin e pezullimit të vizave, i cili u prezantua të hënën, 5.12.2022 në Bruksel, Komisioni i BE-së kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor për shtetasit e të cilëve janë hequr vizat, harmonizim të politikave të vizave. Veç të tjerash, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë paralajmëruar nga Komisioni për skemat e dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj. Komisioni paralajmëron se aplikimi i pasaportave të arta mund të sjellë sërish regjimin e vizave për vendet përkatëse

Shqetësim për “pasaportat e arta” të Shqipërisë

Pavarësisht nga shqetësimet e shprehura më parë nga Komisioni, Shqipëria vijon të ketë në fuqi legjislacionin që lejon marrjen e një ‘shtetësie sipas skemës së investimeve (‘pasaportat e arta’), konstatohet në raport. Aty ngrihet më tej shqetësimi se skema të tilla, shtetësi kundrejt investimi, mund të nxisin migracionin e parregullt në BE, si edhe të minojnë masat për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë”, thuhet në raport. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla “përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme”, regjimi pa viza mund të anullohet”

Vërejtje edhe në adresë të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi

Komisioni ushtron kritikë edhe në adresë të Malit të Zi për shkak të politikës së dhënies së shtetësisë. Ndërsa Shqipëria ende nuk ka filluar ende të aplikojë ligjin e shtetësisë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë vijuar të japin shtetësi të tilla, megjithë paralajmërimet nga Brukseli.