Ballina Aktualitet “Tregu më i mirë i Krishtlindjeve në botë” hapet në Nju Jork

“Tregu më i mirë i Krishtlindjeve në botë” hapet në Nju Jork

Është emëruar “tregu më i mirë i Krishtlindjeve në botë” nga agjencia e udhëtimeve “Planet Cruise”, dhe këtë vit blerësit po kthehen në Bryant Park të Nju Jorkut. Bizneset e vogla në tregun “Holiday Shops”, i cili operohet nga kompania “Urbanspace”, janë të etur për të nxjerrë fitime këtë vit pasi pandemia e Covid-19 i dëmtoi ato rëndë në dy sezonet e fundit festive.

Në Bryant Park të qytetit të Nju Jorkut, njerëzit tashmë kanë filluar të mblidhen për të blerë artikuj të Krishtlindjeve.

I njohur zyrtarisht si “Holiday Shops”, në tregun që operohet nga kompania “Urbanspace” në Fshatin Dimëror të Bankës së Amerikës bizneset e vogla shpresojnë të kompensojnë humbjet e dy viteve të fundit.

Në dyqanin e kompanisë “Soap and Paper Factory”, një prodhues nga Nju Jorku i qirinjve dhe produkteve të tjera aromatike, blerësit kthehen çdo vit për të blerë qirinj dhe pajisje me aromë pishe.

“Ka më shumë turistë nga jashtë që është gjë shumë e mirë. Ata janë të lumtur që tani mund të udhëtojnë, të vizitojnë Nju Jorkun gjatë sezonit të Krishtlindjes”, thotë Lisa Devo, pronare e kompanisë “Soap and Paper Factory”.

Tregjet e Krishtlindjeve kanë qenë të njohura në Gjermani, Austri, dhe pjesë të tjera të Evropës për shekuj me radhë.

Ato janë bërë më popullore në Shtetet e Bashkaura gjatë dekadave të fundit, duke u shfaqur në Çikago, Atlanta, San Francisko dhe shumë qytete të tjera.

Në Nju Jork, tregu i festave në Grand Central dhe ai në Union Square u hapën në vitin 1993. Kompania “Urbanspace” tani operon tre tregje festash në Nju Jork: Bryant Park, Union Square dhe Columbus Circle.

Për shkak të pandemisë, pati shumë kufizime gjatë sezonit të festave në vitin 2020, kur u hap me kufizime vetëm tregu në Bryant Park.

Vitin e kaluar, tregu në Bryant Park ishte i hapur me kapacitet të plotë, por ai në Union Square ishte me 80 për qind kapacitet dhe ai në Columbus Circle me 50 për qind.

Këtë vit, përveç hapjes me kapacitet të plotë të tre tregjeve, kompania “Urbanspace” do të hap një tjetër treg gjatë sezonit të festave në Brooklyn.

Sezoni i blerjeve të festave në nëntor dhe dhjetor është kyç për shumë biznese pasi ato mund të përbëjnë rreth 20 për qind të shitjeve të tyre vjetore.

Përgatitja për tregjet e festave kërkon punë intensive, sepse shumë biznese të vogla duhet të blejnë mallrat e tyre në distanca të largëta dhe duhet të plotësojnë personelin e tyre.

Por pronarët e bizneseve të vogla thonë se kjo është një përpjekje rëndësishme për të vendosur kontakte me klientët dhe për të promovuar produktet e tyre të sezonit të festave.

“Covid-19 ishte shumë sfidues për biznesin tonë familjar pasi udhëtimi në shumicën e qendrave të qyteteve u ul në mënyrë dramatike për një periudhë shumë të gjatë kohore. Por tani gjërat po rihapen. Ju mund të shihni vërtet jetën dhe energjinë këtu në Bryant Park këtë dimër”, thotë Brian Zaro, pronar i kompanisë së shitjes së ëmbëlsirave “Zaro’s Family Bakery”.

Ky është viti i dytë i kompanisë së sapunit “SalyeAnder” në tregun Bryant Park.

“Këtë vit jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi kaq shumë klientë dhe njerëz të rinj që ecin nëpër park. Ne jemi vërtet të kënaqur me numrin e njerëzve që po shohim, përfshirë ata nga vende të ndryshme të botës dhe nga qyteti i Nju Jorkut”, thotë Sallie Austin Gonzales, Presidente e kompanisë “SallyeAnder”.

Për turistët si Sharon Taylor nga shteti i Indianës, tregjet e festave ofrojnë një alternativë të mirë ndaj blerjeve në internet që njerëzit u detyruan t’i bënin gjatë pandemisë.

“Është mirë që të gjitha dyqanet janë të hapura dhe ne mund të prekim, ndjejmë, blejmë dhe shohim se çfarë po blejmë në vend që ta bëjmë këtë në internet”, thotë ajo.