Ballina Aktualitet Presidenti gjerman në Tiranë: Qeveria e opozita të punojnë së bashku për...

Presidenti gjerman në Tiranë: Qeveria e opozita të punojnë së bashku për BE-në

Në Tiranë, presidenti gjerman Frank Walter-Steinmeier vlerësoi hapat e bëra nga Shqipëria në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin europian duke rikonfirmuar mbështetjen e vendit të tij edhe në të ardhmen.

Këto komente ai i bëri gjatë vizitës së nisur sot në kryeqytetin shqiptar, pjesë e një turi në disa vende të rajonit. Presidenti Steinmeier, pati një takim me presidentin shqiptar Bajram Begaj, si dhe ju drejtua me një fjalim edhe parlamentit.

Ai e konsideroi vendimin e Brukselit, në korrik të këtij viti, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim si një gur kilometrik në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Presidenti gjerman theksoi se rruga do të jetë ambicioze, dhe bëri thirrje që “të vijohet të punohet kundër pengesave, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ndërsa kërkoi nga përfaqësuesit politik “të punojnë së bashku përtej llogoreve qeveri-opozitë. Bashkimi europian si destinacion i përbashkët, ja vlen këtë përpjekje”, theksoi presidenti gjerman.

Nga ana e tij Kreu i Shtetit shqiptar, vlerësoi rolin dhe angazhimin e Gjermanisë, si ndaj Shqipërisë ashtu dhe rajonit. “Ne e mirëpresim rolin dhe kontributin e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit është shembulli më i mirë i angazhimit gjerman në rajon” deklaroi ai, duke nënvizuar se “largimi i vëmendjes nga Ballkani Perëndimor mund të bëjë që aktorë të tretë të shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe të ndikojnë negativisht në vijimin e proceseve integruese të vendit dhe të rajonit”, theksoi presidenti Begaj.