Ukraina mund të përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike deri në mars, tha një ekspert i energjisë, për shkak të asaj që një zyrtar tjetër e përshkroi të martën si dëm “kolosal” të shkaktuar në rrjetin elektrik të Ukrainës nga sulmet ajrore ruse.
Ukrainasve u është kërkuar të furnizohen me rezerva, të evakuojnë zonat më të prekura – apo edhe të mendojnë të largohen krejt nga vendi.
Sergey Kovalenko, drejtor ekzekutiv i ofruesit privat të energjisë DTEK Yasno, tha se kompania ishte udhëzuar nga operatori shtetëror i rrjetit të Ukrainës të rifillojë ndërprerjet emergjente të rrymës në zonat që mbulon, duke përfshirë kryeqytetin Kiev dhe rajonin lindor Dnjipropetrovsk.
“Edhe pse tani ka më pak ndërprerje, dua që të gjithë ta kuptojnë: Sipas shumë gjasave, ukrainasve do t’iu duhet të jetojnë me ndërprerje deri të paktën në fund të marsit,” paralajmëroi Kovalenko në një postim në Facebook.
“Mendoj se duhet të përgatitemi për opsione të ndryshme, madje edhe më të këqijat. Mblidhni rroba të ngrohta, batanije, mendoni se çfarë do t’ju ndihmonte ta kaloni një ndërprerje të gjatë të rrymës”, tha ai, duke iu drejtuar banorëve ukrainas.
Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë tjera infrastrukturore përmes sulmeve ajrore që disa javë rresht, ndërkohë që lufta po i afrohet muajit të nëntë që nga fillimi i pushtimit rus.
Ky sulm ka shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike dhe ka privuar miliona ukrainas nga energjia elektrike, ngrohja dhe uji.
“Ky dimër do të kërcënojë jetët e miliona njerëzve në Ukrainë,” tha Hans Henri P. Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, duke iu referuar mungesës së energjisë dhe dëmtimit të objekteve shëndetësore të Ukrainës.
Temperaturat zakonisht qëndrojnë nën zero në Ukrainë gjatë dimrit dhe bora tashmë ka rënë në shumë zona, përfshirë Kievin. Autoritetet ukrainase kanë nisur evakuimin e civilëve nga pjesët e çliruara së fundmi të rajoneve jugore Herson dhe Mikollaiv nga frika se dimri do të jetë shumë i vështirë për të mbijetuar.
Kovalenko tha se, edhe nëse nuk ndodhin më sulme ajrore ruse, do të duhet të planifikohen ndërprerje në të gjithë Ukrainën për të siguruar që energjia të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë rrjetin energjetik të vendit, që është dëmtuar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se sulmet me raketa ruse kanë dëmtuar më shumë se 50 për qind të infrastrukturës energjetike të vendit.
“Shkalla e shkatërrimit është kolosale” në rrjetin elektrik, shkaku i sulmeve ruse të javës së kaluar, tha të martën Volodymyr Kudrytskyi, drejtor ekzekutiv i Ukrenergo, operatorit shtetëror të rrjetit të energjisë elektrike.
Ai tha se Ukraina nuk ka “praktikisht asnjë termocentral (ose) hidrocentral të padëmtuar” pas sulmeve të Moskës, të kryera më 15 nëntor.
Prej kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, lufta ka lënë të vrarë të paktën 16.784 civilë dhe ka plagosur 10.189 të tjerë, vlerëson Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Por gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Milley, vlerësoi në fillim të këtij muaji se rreth 40.000 civilë ukrainas janë vrarë ose plagosur.