Ballina Aktualitet OKB: Bota me 8 miliardë banorë, më 2023 India do të ketë...

OKB: Bota me 8 miliardë banorë, më 2023 India do të ketë më shumë banorë se Kina

Sipas OKB-së popullsia e botës arriti të martën në 8 miliardë banorë dhe India vitin e ardhshëm pritet të jetë vendi me numrin më të madh të popullsisë, duke ia kaluar Kinës. Por, rritja e shpejtë e popullsisë mund të shkaktojë sfida ekonomike për Indinë. Në rrugët e mbushura me njerëz të kryeqytetit të Indisë, Nju Delhi, banorët po shprehin shqetësime për pasojat ekonomike që rritja e shpejtë e popullsisë mund të ketë, si vendet e punës dhe mungesa e ushqimit.

Një studim i OKB-së thotë se popullsia e botës të martën arriti në 8 miliardë banorë dhe se India do të zëvendësojë Kinën si vendi me numrin më të madh të banorëve vitin e ardhshëm.

India aktualisht ka një miliard e 412 milionë banorë, ndërsa Kina një miliard e 426 milionë. Por, për Indinë, rritja e popullsisë sjell edhe vështirësi dhe sfida ekonomike.

“Papunësia do të rritet. Dhe për shkak të kësaj, do të ketë më shumë vjedhje, përdhunime, vrasje. Nju Delhi nuk ishte kështu pesë vjet më parë. Popullsia është rritur shumë. Mund ta shihni vetë turmën e madhe të njerëzve. Nëse hyn në këtë turmë, është e vështirë të marrësh frymë”, thotë Madhusmita Biswas, banore e Nju Delhit.

Më shumë se 70 për qind e popullsisë në Indi është e moshës nën 35 vjeç. Nikita, e cila ka një diplomë magjistrature për mësimdhënie, në gjashtë muajt e fundit nuk ka arritur të gjejë një vend pune. Miliona të rinj të tjerë në Indi po ndeshen me të njëjtën sfidë.

“Tashmë kemi një popullsi të re. Por, nëse vendi do të përfitojë nga numri i madh të rinjve do të varet nga investimet e shtetit në shëndetin, mirëqenien dhe mundësitë e tyre”,thotë Dr. Sanghamitra Singh, studiuese e shëndetit publik.

Sipas studimit të OKB-së popullsia e Indisë do të rritet nga 1.4 në rreth 1.7 miliardë banorë deri në vitin 2050. Ekspertët thonë se sfidë kryesore për qeverinë e Indisë do të jetë sigurimi i vendeve të punës për kaq shumë njerëz.

“Në tetë vitet e fundit, nga pikëpamja e realizimit të përfitimeve, si krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e të ardhurave të fuqisë së re punëtore, nuk kemi shkuar në drejtimin e duhur. Tani jemi në një pikë të rëndësishme. Vendimet mbi politikat ekonomike që do të merren tani, do të kenë pasoja serioze jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të moshuarit”, thotë ekonomisti Deepanshu Mohan.

Për të shfrytëzuar potencialin e të rinjve, Indisë do t’i duhet të bëjë një zhvendosje të madhe politikash nga prodhimi me kapital të madh tek prodhimi për realizimin e të cilit nevojitet kapital i madh njerëzor.

Raporti i OKB-së mbi Popullsinë e Botës, i cili u publikua të martën, thotë gjithashtu se ritmi vjetor i rritjes së popullsisë globale ra nën 1% në vitin 2020 për herë të parë që nga viti 1950. Popullsia e botës pritet të arrijë në 8.5 miliardë në vitin 2030, 9.7 miliardë në vitin 2050, dhe në rreth 10.4 miliardë në vitin 2080, thuhet në raportin e OKB-së./ Associated Press