Ballina ED/OP Heronjët e pasluftës në Kosovë

Heronjët e pasluftës në Kosovë

Shkruan: Florim Zeqa         22.10.2022

Përderisa tani e 23 vite më parë shumica e shqiptarëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës jetojnë të zhvendosur si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe gjithandej Kosovës, një pjesë e vogël e tyre bëjnë jetë martirësh të rrezikuar dhe kërcënuar në pjesën veriore, të harruar dhe anashkaluar nga pushtetarët në Prishtinë!

Shqiptarët e pjesës veriore, të harruarit e shtetit të Kosovës

Për institucionet tona shtetërore shqiptarët e pjesës veriore kanë mbetur vetëm si numra të papërfillshëm, objekte të pa vlerë dhe të harruar tani e 23 vite më parë. Tani ata ndodhen para rrezikut akoma më të madh dhe potencial që nga paslufta e këndej nga paralajmërimet e pushtuesit verior për invazion ushtarak në veri të vendit tonë, pas presioneve të bashkësisë ndërkombëtare për përmbylljen e dialogut në Bruksel.

Shqiptarët e pjesës veriore të Kosovës, i kaluan 23 vite nën ankth, nën presion të vrasjeve, rrahjeve e maltretimeve të pa ndërprera nga paramilitarët serbë, pa mbrojtjen dhe përkrahjen e askujt; as të shtetit të tyre e as të ndërkombëtarëve!

Shqiptarët e pjesës veriore për të mbijetuar në vatrat e tyre stërgjyshore i përjetuan të gjitha, më të vetmin qëllim që t’i qëndrojnë besnik pragut të shtëpisë, asaj toke të gjakosur më gjak shqiptari për të mos u bërë serbe asnjëherë.

Shqiptarët e asaj pjese nuk i nënshtroj asnjëherë dhe për asnjë moment dhuna dhe presioni sistematik i shtetit serb, nuk i mashtroj as paraja e madhe që iu ofroi shteti serb per blerjën e shtëpive dhe patundshmërive tyre!

Nuk u dorëzuan as nga zhgënjimi i madh që iu erdhi nga harresa ndër vite e qeverive të shtetit të tyre, nuk u lëkunden për asnjë moment as atëherë kur u përballen me vdekjen dhe rrënimin e shtëpive. Mbi gërmadhat e shtëpive rindërtuan themele dhe çati të reja, duke ia bërë të qartë pushtuesve se ajo tokë ishte dhe është shqiptare.

Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar në trojet e tyre nuk është nënshtrim, është heroizëm i pa parë, por nënshtrimi është i atyre (qeveritarëve) që dorëzohen para kriminelëve e paramilitarëve serbë, te cilët jo tani, por që 23 vite po e mbajnë të pushtuar dhe të barrikaduar pjesën veriore, duke ua veshtirësuar akoma më tepër jetën shqiptarëve në trojet e veta stërgjyshore.

Nuk ka liri dhe pavarësi të pjesshme

Gatishmëria e politikanëve për konçesione të reja me Serbinë nuk është risi dhe as befasi për askënd në Kosovë, sikurse që nuk është befasi as marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe në Bruksel, e ratifikuar edhe nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2013!

Territori i shtetit duhet të jetë shqetësim për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim ku ata jetojnë; në pjesën veriore apo jugore, në Kosovë apo Diasporë.

Pavarësia e Kosovës i kishte gëzuar të gjithë, por më së shumti shqiptarët pjesës veriore, të cilët kanë pritur më shumë nga politikanët e Kosovës pas ri-shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008.

Një fjalë e urtë thotë: “nuk ka rrezik më të madh sesa fundosja në një festim të gjatë”.

Festimet e pakufijshme të gjysëm pavarësisë së shtetit të Kosovës jo vetëm të dëmshme, ishin edhe tejët ofenduese për shiptarët e pjesës tjetër të Kosovës nën pushtimin e bandave kriminale.

Shqiptarët e pjesës veriore jo vetëm që nuk e shijuan lirinë, nuk e shijuan as aromën e pavarësisë, pasi atyre në radhë të parë iu mungon e drejta për të jetuar të lirë në shtëpitë dhe banesat e tyre!

Përderisa ajo pjesë të jetë e pushtuar nga bandat kriminale serbe, asnjë shqiptar i Kosovës nuk e ka të drejtën për t’u ndjerë i lirë e i pavarur. Sikurse që nuk ka kënaqësi të pjesshme, nuk ka liri dhe as pavarësi te pjesshme.

Shteti formë e zgjeruar e familjes

Shteti është sikurse familja; kur ka gëzim në një familje ka për të gjithë, kur ka pikëllim të gjithë e ndjejnë njësojë pikëllimin. Andaj edhe shteti është një formë e zgjeruar e familjes. Ai që e kupton ndryshe është largë vlerave të civilizimit njerëzorë.

Meqenëse të gjitha qeveritë deri tek kjo e tanishmja nuk u treguan të zonja për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e shtetit, është mirë të vetëtërhiqen të gjithë nga skena politike, le t’ua lëshoj vendin atyre që janë të zotët ta bëjnë një gjë të tillë.

Nuk duam që vëllëzerit dhe motrat tona të vritën befasisht natën në shtëpitë e tyre. Nuk duhet të lejojmë që pushtetarët tonë t’i quajnë viktima heronjët e shtetit, të cilët me trupat e tyre po martirizohen për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës.

Duam që nesër së bashku me shqiptarët e pjesës veriore ta festojmë lirinë dhe pavarësinë edhe përtej Urës së Ibrit, tek Tre rrokaqiejtë, tek Kodra e Minatorëve, në Shalë të Bajgorës, pse jo edhe ne Boletin të Kulla e Isa Boletinit, aty ku prehen eshtrat e heroit tonë mbarëkombëtar.