Ballina Aktualitet Rritet numri i njerëzve që mbërrijnë në Angli me gomone, Shqipëria kryeson...

Rritet numri i njerëzve që mbërrijnë në Angli me gomone, Shqipëria kryeson listën

Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman planifikon të reduktojë numrin e emigrantëve që kalojnë Kanalin Anglez me gomone të vogla.

Kjo pasi më shumë se 33,500 njerëz kanë përdorur tashmë këtë rrugë për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit.

Deri më 3 tetor të këtij viti, 33,573 njerëz kanë kaluar Kanalin me gomone dhe sipas autoriteteve ky është numri më i lartë që nga fillimi i mbledhjes së këtyre shifrave në vitin 2018. Në vitin 2021, totali ishte 28.526 persona, ndërsa në vitin 2020 ishte 8.404.

Sipas statistikave zyrtare, në gjysmën e parë të 2022, ardhjet nga tre vende përbënin më shumë se gjysmën e totalit të përgjithshëm:

18% vinin nga Shqipëria

18% nga Afganistani

15% nga Irani

Numri i shqiptarëve që bëjnë kalimin është rritur ndjeshëm që nga viti 2021. Kjo pasi në 2021 iranianët ishin grupi më i madh, duke përbërë 30% të të gjithë mbërritjeve me gomone të vogla.