Ballina Rajoni ILIR FERATI ZGJIDHET KRYETAR I DEGËS TË LDK NË ISTOG

ILIR FERATI ZGJIDHET KRYETAR I DEGËS TË LDK NË ISTOG

Pamje nga salla e Kuvendit Zgjedhor të Degës së LDK-së në Istog  (Foto: RTV – Fontana-)
 
IDRIZ ZEQIRAJ
     Në lokalet e Restorant “Freskia”, u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Degës të LDK-së në Istog, për ta zgjedhur kryetarin e ri, pas shkuarjes në amëshim të kryetarit të nderuar, Haki Rugova. Salla e zbukuruar si për festë zgjedhore, nën përkujdesjen e kuadrit të lartë dhe të vyeshëm, Genc Ademaj, Adon Arifaj, me shoqe e shokë. Në kryesinë e punës kishin zënë vend: nënkryetari i parë Lulzim Blakaj, anëtarët e kryesisë Hazbi Bajra e Agim Haxhijaj. Mbizotëronte një atmosferë e harmonishme brezash, veprimtarë të hershëm të LDK-së dhe ish-drejtues të Kuvendit dhe të drejtorive komunale, tashmë, në pension, si Demë Çeta, Qaush Balaj, Sokol Berisha, Hazbi Bajra, Agim Haxhijaj me shokë.
     Kuvendin e hapi nënkryetari Lulzim Blakaj, i cili i përshëndeti mysafirët dhe delegatët e Kuvendit, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun; kryetarin e komunës së Pejës dhe nënkryetar i LDK-së, Gazmend Muhaxherin; kryetarin e komunës dhe anëtarin e kryesisë të LDK-së, Ilir Feratin; sekretarin e LDK-së, dhe kryetar i komunës të Lipjanit; Imri Ahmetin; kryetaren e Forumit të Gruas të LDK-së, Jeholna Lushaku; anëtarët e kryesisë Armend Zemaj, Besian Mustafa, Shkëmb Manaj; nënkryetarin e komunës së Pejës, Fatmir Asllani; veprimtarin Idriz Zeqiraj; kryetaren e Forumit të Gruas të LDK-së në Istog, Fikrije Shala Kajtazaj dhe të pranishmit e tjerë.
     Nënkryetari Lulzim Blakaj, ftoi në foltore kryetarin Lumir Abdixhikun. Plakun e Kosovës, plakun e pajtimit, profesor Anton Çetën, e kam dëgjuar të thotë: “Të dua, se të kam dhëndër. Por, më shumë të dua se e dinë kur është boll”. (Fjalën e kishte për masën kohore të bisedës). Vërtet, kryetari Lumir sikur e ka dëgjuar porosinë e profesor Antonit, andaj shquhet për sensin e masës, në fjalimet e tij konstruktive e sintezë.
     Kryetari Lumir Abdixhiku përshëndeti kryetarin e komunës, Ilir Feratin, kryesinë e punës, delegatët e Kuvendit dhe mysafirët e pranishëm, për të vazhduar me fjalën e tij:
     “Sot është ditë e shënuar e demokracisë, në vendlindjen e atit tonë, themeltar i shtetit tonë dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është ndjenjë e veçantë kur jemi në Istog, jo vetëm si vend piktoresk, por edhe i fitoreve të gjithëhershme.
     Kemi filluar me zgjedhjet e strukturave të partisë,  Formin e Grus të LDK-së, Forumin e Rinisë të LDK-së dhe po vazhdojmë mëtej. Kemi projektin e madh, për forcimin dhe shumëzimin e anëtarësisë në LDK-e, si mundësi reale, për të arritur drejtimin e Kosovës, me maturi, urtësi e demokraci, ashtu siç na ka mësuar Presidenti histolrik, Dr. Ibrahim Rugova.
     Ne bëjmë një opozitë konstuktive, përballë një qeverisje të papërgjegjshme, të rrëmujshme, arrogante e mospërfillëse. Stërkeqje në shëndetësi, ikje të mjekëve specialistë si dhe me dobësi edhe në sektorë të tjerë. Andaj, duhet mobilizim që nga baza, deri në qendër, për ta arritur besueshmërinë në popull, e cila, në fakt, nuk ka munguar, por, jo gjithmonë janë shfrytëzuar mundësitë e shtimit të elektoratit.
     LDK-ja ka potencial njerëzor dhe intelektualë, për ta udhëhequr, profesionalisht dhe mençurisht, Kosovën. Të angazhohemi për punë cilësore, me synime të dlira dhe të qarta, për ta zhvilluar e përparuar Kosovën tonë. Na priftë e mbara”, – përmbylli fjalën e tij kuvendore, kryetar Lumiri, në mes të duartrokitjeve entuziaste të delegatëve dhe të mysafirëve. Si gjithëherë, në fjalën e kryetarit, parësore ishte Kosova dhe pastaj partia. Një traditë kahmotshme e LDK-së dhe të kuadrove të saj.
     Kryesuesi i Kuvendit zgjedhor, Lulzim Blakaj, ftoi delegatët për propozimin e komisioneve përkatëse zgjedhore. Fitorja bindëse në zgjedhjet komunale të kryetarit Ilir Ferati, u pasua edhe nga zgjedhja aprovuese plebishitare edhe për kryetar të Degës të LDK-së, për Istogun. Pas tej 6 muajve të vendit vakant, në respektim të kryetarit të ndjerë, Haki Rugova, zgjidhet kryetari i ri, Ilir Ferati.
     Kryesuesi i mbledhjes kuvendore zgjedhore, ftoi në foltore, kryetarin e zgjedhur, Ilir Feratin, i cili mbajti fjalën falenderuese dhe premtuese, njëherësh, se do të ndjekë rrugën e pararendësve: Shaban Manaj, Fadil Ferati, Haki Rugova, për ta çuar përpara Kosovën dhe Demokracinë në LDK-e. Sepse kjo është shtëpia jonë e përbashkët. Unë jam këtu me ju, për ju, i gatshëm në shërbimin tuaj”. Dhe, i përcjellur me duartrokitjet e të pranishmëve, Ilir Ferati zuri vend në kryesimin e Kuvendit zgjedhor.
     Së fundi, kryetar Iliri i deklaroi të mbyllura punimet e Kuvendit zgjedhor. Përgjatë drekës dhe pas saj, strukturat e partisë dhe delegatët vendorë, biseduan me kryetar Lumirin dhe kuadrot e LDK-së, të ardhur, enkas, për monitorimin e Kuvendit zgjedhor.
     Në fund, kryetari Lumir Abdixhiku, me kolegët nga LDK-ja, së bashku me delegatët dhe mysafirët, pjesëmarrës në Kuvend, bënë një shetitje kolektive, ke rrjedha e burimit të Istogut, për t`u ndarë miqësisht.
     Ishte një standard i ri, në pritje, ndejë dhe përcjellje, si frymëzim për një lëvizje mobilizuese, në begatimin e partisë, gjthnjë në të mirë të popullit, të zhvillimit të Kosovës, sepse LDK-ja, si parti e paqes dhe e luftës, është edhe themeluese e shtetit të Kosovës. Është, pikërisht, kjo LDK-e, vepruese dhe drejtuese, si lëvizje kombëtare, në kushte e rrethana supërspecifike, të një pushtimi të egër serbo-sllavë, që i dha kombit vizionarin e madh, burrështetasin unik, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugovën, i cili nuk ka ndërmjetës, për nga rëndësia historike, që nga legjendari Gjergj Kastrioti.
     Punimet e Kuvendit Zgjedhor të Degës së LDK-së në Istog, i përcolli me kamerë RTV -Fontana – vendore.