Ballina Kulturë Tre shkencëtarë marrin Çmimin Nobel në fizikë, për arritjet e tyre në...

Tre shkencëtarë marrin Çmimin Nobel në fizikë, për arritjet e tyre në teknologjinë kuantike

Tre shkencëtarë fituan të martën çmimin Nobel të këtij viti në fizikë për punën e tyre në teknologjinë kuantike që ka përdorime të rëndësishme në disa fusha.

Francezi Alain Aspect, amerikani John F. Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger u nderuan nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave për zbulimin e mënyrës se si grimcat e njohura si fotone mund të lidhen, ose ndërveprojnë me njëra-tjetrën edhe kur janë shumë larg njëra-tjetrës.

“Shkenca e informacionit kuantik është një fushë e gjallë dhe në zhvillim të shpejtë,” tha Eva Olsson, anëtare e komitetit të çmimit Nobel.

“Ajo përdoret gjerësisht edhe në fusha të tilla si transferimi i sigurt i informacionit, llogaritja kuantike dhe teknologjia e sensorëve.”

“Origjina e saj i ka rrënjët tek mekanika kuantike,” tha ajo. “Parashikimet e lidhura me të, i hapin dyert një bote të re dhe transformojnë vetë themelet e mënyrës se si interpretojmë matjet.”

Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, profesori i Universitetit të Vjenës, 77 vjeçari Zeilinger tha se ishte emocionuar kur mësoi se kishte marrë çmimin.

Tre fizikanët Clauser, Aspect dhe Zeilinger shpesh trajtojnë probleme që në pamje të parë duket të jenë shumë larg shqetësimeve të përditshme – grimcat e vogla dhe misteret e mëdha të hapësirës dhe kohës – por puna e tyre kërkimore hedh bazat për shumë përdorime praktike të shkencës.

Komiteti Nobel tha se 79 vjeçari Clauser zhvilloi teoritë kuantike të paraqitura për herë të parë në vitet 1960 në një eksperiment praktik. 75 vjeçari Aspect arriti të mbyllte një hendek në ato teori, ndërsa prof. Zeilinger demonstroi një dukuri të quajtur teleportim kuantik që lejon në mënyrë efektive transmetimin e informacionit në distanca të gjata.

“Përmes ndërthurjes, mund të zhvendosësh të gjithë informacionin që bartet nga një objekt në një vend tjetër ku objekti si të thuash, riformohet,” tha prof. Zeilinger. Ai shton se kjo funksionon vetëm për grimcat e vogla.

Ai tha se kur filloi kërkimet e tij, eksperimentet ishin “plotësisht filozofike pa ndonjë përdorim apo zbatim të mundshëm praktik.”

Që atëherë, puna e laureatëve është përdorur për të zhvilluar fushat e kompjuterëve kuantikë, rrjeteve kuantike dhe komunikimit të sigurt të koduar kuantik.

Java e shpalljes së çmimeve Nobel filloi të hënën kur shkencëtari suedez Svante Paabo u nderua me çmimin në fushën e mjekësisë për punën e tij në zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit që sjell njohuri jetike për sistemin tonë imunitar.

Të mërkurën shpallet çmimi për kiminë dhe të enjten ai për letërsinë. Çmimi Nobel për Paqe 2022 shpallet të premten dhe çmimi në fushën e ekonomisë më 10 tetor.