Liz Truss është kryeministrja e re e Britanisë. Mbretëresha Elizabeth e emëroi atë për të drejtuar vendin dhe i kërkoi të formonte qeverinë.
Zonja Truss, kryeministrja e katërt konservatore në gjashtë vjet, zëvendëson Boris Johnsonin, i cili u detyrua të largohej nga detyra pas tre vjetëve të trazuar në pushtet.
“Mbretëresha priti sot deputeten e nderuar Elizabeth Truss dhe i kërkoi asaj të formonte një administratë të re,” njoftoi Buckingham Palace në një deklaratë.
Kryeministrja Truss do të përballet me një nga situatat më sfiduese të çdo udhëheqësi të pasluftës në Britani, me një inflacion të lartë, rritje të kostos së energjisë dhe paralajmërimin për një recesion të mundshëm brenda vitit.
Plani i saj për të forcuar ekonominë nëpërmjet uljes së taksave, duke shqyrtuar njëkohësisht mundësinë e një pakete financiare prej rreth 116 miliardë dollarësh për të zbutur ndikimin e kostos së energjisë, ka tronditur tregjet financiare.
Zoti Johnson, i cili u përpoq të qëndronte në pushtet në korrik pavarësisht se një numër ministrash dhanë dorëheqjen si reagim ndaj një sërë skandalesh, u tha gazetarëve dhe politikanëve të mbledhur në Downing Street herët të martën se kishte ardhur koha që vendi të bashkohej.
“U them kolegëve të mi konservatorë, së është koha që t’i lëmë lojrat politike. Është koha që të mbështesim që të gjithë (kryeministren) Liz Truss, ekipin e saj dhe programin e saj”, tha zoti Johnson.
Johnson përdori fjalimin e tij të largimit për të ngritur lart sukseset e tij, përfshirë një program të hershëm vaksinash gjatë pandemisë së koronavirusit dhe mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë.
Ai përmendi gjithashtu Brexit-in si një nga arritjet e tij kryesore, megjithëse sondazhet tani tregojnë se shumica e britanikëve mendojnë se largimi nga Bashkimi Evropian ishte një gabim.