Ballina Aktualitet Zjarret përvëlojnë Francën dhe Spanjën; shtohen vdekjet nga temperaturat e larta

Zjarret përvëlojnë Francën dhe Spanjën; shtohen vdekjet nga temperaturat e larta

 

Evropa është përfshirë nga një valë të nxehti dhe zjarre të shumta. Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencave po përpiqen të shuajnë zjarret në pyjet e Francës dhe Spanjës, ndërsa raportohet një rritje e madhe e rasteve të vdekjeve nga i nxehti. Komisioni Evropian ka përmendur ndryshimin klimatik si shkaktar të të nxehtit të pazakontë.

Zjarrëfikësit po përpiqeshin të dielën të vinin nën kontroll zjarret që kanë dalë jashtë kontrollit në Francë dhe Spanjë, ndërsa Evropa po përjeton një valë të pazakontë të nxehti të shkajshëm. Autoritetet në Madrid thonë se është shtuar numri i vdekjeve nga i nxehti.

Dy vatra të mëdha zjarri që po djegin pyjet me pisha prej gjashtë ditësh pranë qytetit Bordeaux në Francën jugperëndimore kanë detyruar evakuimin e rreth 14 mijë personave, shumë prej të cilëve gjendeshin në kampe pushimi përgjatë bregdetit. Një ndër teknikat që po përdorin autoritetet është edhe hedhja e rërës së bardhë për të krijuar një lloj kufiri ndaj zjarrit për kilometra të tërë. Deri më tani mbi 10300 hektarë tokë janë djegur.

Me mbështetjen e njësive të emergjencave të ushtrisë, zjarrfikësit në Spanjë po përpiqen të shuajnë rreth 30 zjarre në pyjet në mbarë vendin. Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare të Spanjës njoftoi se ka mobilizuar tashmë shumicën e avionëve për fikjen e zjarreve. Shumë prej zonave të zjarreve janë zona të largëta me terren të ashpër kodrinor, ku mund të arrijnë me vështirësi ekipet e emergjencave.

Kushtet e thatësirës të krijuar në Gadishullin Iberik pas mbërritjes javën e kaluar të një mase ajri të nxehtë nga Afrika, e kanë bërë rajonin më të ekspozuar ndaj zjarreve, disa prej të cilëve mund të jenë vënë edhe qëllimisht.

Deri më tani, nuk ka patur vdekje nga zjarret në Francë apo Spanjë. Ndërsa në Portugali një pilot humbi jetën kur u rrëzua avioni me të cilin po luftonte flakët.

Ndërsa temperaturat e larta vazhdojnë të jenë në nivele të pazakonta, vdekjet nga i nxehti janë rritur. Bashkimi Evropian ia atribuoi ndryshimit klimatik valën e të nxehtit.

Në Spanjë vala e dytë e të nxehtit ka sjellë në shumë zona temperatura në 43 gradë celcius. Sipas institutit spanjoll që regjistron vdekjet nga temperaturat, pati 360 viktima vetëm për pak ditë gjatë periudhës 10 – 15 korrik, ndërkohë që gjatë periudhës pararendëse kishin qenë vetëm 27 vdekje të tilla.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët edhe në pjesë të tjera të Evropës, si në Hungari, Kroaci dhe në ishullin grek Kretë. Temperaturat e larta kanë mbërritur deri në Britani, ku autoritetet kanë bërë paralajmërimin e parë “të kuq” për të nxehtin ekstrem që pritet gjatë të hënës dhe martës.