Ballina Rajoni Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez

 

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të shtunën propozimin francez që pritet t’i hapë rrugën Shkupit për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

68 ligjvënës votuan në favor të propozimit. Deputetët e opozitës maqedonase u larguan nga seanca para se të bëhej votimi. Miratimi u prit me duartrokitje në sallën e parlamentit.

Miratimi i propozimit francez u prit me duartrokitje në sallën e parlamentit. Krahas ligjvënësve të shumicës parlamentare pro votuan edhe ata të partive opozitare shqiptare.

Debati zgjati për tre ditë dhe u përshkua nga tensione të shpeshta midis deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë nacionaliste “E Majta” nga njëra anë dhe atyre të Lidhjes Social Demokrate në pushtet, nga ana tjetër.

Opozita akuzon qeverinë për tradhëti kombëtare dhe heqje dorë nga gjuha, identiteti dhe historia kombëtare maqedonase dhe thotë se “propozimi francez synon bullgarizimin e popullit maqedonas”.

Eksponentë të VMRO-së kërcënuan kryeministrin Dimitar Kovaçevski se “do të vuajë burg për këtë tradhëti”.

“Do të kalbesh në burg”, iu drejtua deputeti Dragan Kovaçki i VMRO-së kryeministrit Kovaçevski.

Vendimet e votuara të shtunën në parlament do t’i dërgohen qeverisë për miratim.

Pas kësaj, sipas pritjeve, Këshilli Evropian do të mbajë një konferencë të shpejtë ndërqeveritare në të cilën do t’i hapet drita e gjelbër çeljes së bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE.

Sipas vendimeve shtesë ndaj propozimit, qeveria duhet të kërkojë respektimin e domosdoshëm të veçorive gjuhësore, identitare dhe historike të popullit maqedonas. Në kornizën e bisedimeve do të duhet të qëndrojë ‘gjuha maqedonase’ pa asnjë klasifikim tjetër apo fusnotë. Në rast të dëmtimit të çështjeve jetike maqedonase gjatë bisedimeve, qeveria të tërhiqet nga ato.

Megjithatë, propozimi francez lë të kuptohet se bisedimet për Maqedoninë e Veriut do të bëhen në dy faza.
Pas fazës së parë, Shkupi do të duhet të ndryshojë Kushtetutën për njohjen e pakicës bullgare në të. Ky shikohet si një proces i vështirë dhe jo lehtësisht i arritshëm për shkak të mungesës së dy të tretës së votave në parlament nga koalicioni i shumicës parlamentare.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski falënderoi ligjvënësit për miratimin.
“Ata treguan kapacitet demokratik dhe votuan për të ardhmen evropiane të vendit. Nuk ka atdhetari më të madhe se mbëshjtetja për mirëqenien e shtetit dhe për vendimet të cilat janë me interes më të lartë për shtetin dhe qytetarët. Më në fund, gjuha maqedonase do të jehojë gjithandej nëpër Evropë. Kështu duhet shteti, me vendime të mençura”, shkruan zoti Kovaçevski në rrjetet sociale.

Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e koalicionit qeveritar, nuk u përfshi në debat, siç duket për shkak të zhurmës dhe fishkëllimave nga opozita maqedonase gjatë fjalimeve të përfaqësuesve të koalicionit qeveritar.

Ndërkohë, partia përmes një komunikate e përshëndet miratimin e propozimit. Ajo e quan “vendim historik që vulosi orientimin ideologjik të vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian”. “Sot triumfoi racionaliteti, u ruajtën rrënjët europiane të vendit dhe u mposhtën tentativat destruktive të forcave regresive proruse”, thuhet më tej në komunikatën e BDI-së.

Propozimi francez u kundërshtrua nga një pjesë e qytetarëve maqedonas të cilët u hodhën në protesta herë-herë të dhunshme, të mbështetura nga VMRO-DPMNE dhe E Majta.