Ballina Aktualitet Vendet angazhojnë fonde dhe koordinohen për të hetuar krimet e luftës në...

Vendet angazhojnë fonde dhe koordinohen për të hetuar krimet e luftës në Ukrainë

 

PARIS – Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar rreth 45 vendeve të tjera që kanë rënë dakort të koordinojnë hetimet për krimet e luftës që akuzohet se ka kryer Rusia në Ukrainë. Holanda ka ngritur madje mundësinë e krijimit të një gjykate të posaçme për këtë. Takimi ndërkombëtar në Hagë zhvillohej ndërsa u njoftua një tjetër raund sulmesh vdekjeprurëse me raketa ruse në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm holandez Wopke Hoekstra tha se drejtësia duhet të vendoset ndaj mizorive të dyshuara ruse në Ukrainë – ndoshta duke ngritur një gjykatë speciale për t’i gjykuar ato.

“Ashtu siç e kuptoj unë, ne duhet ta plotësojmë boshllëkun dhe ICC-ja (Gjykata Penale Ndërkombëtare) nuk e ka juridiksionin. Kështu që unë mund të imagjinoj se do ta shikojmë mundësinë e krijimit të një gjykate të tillë”, tha zoti Hoekstra. “Si Holandë ne do ta shqyrtojmë. Ndoshta nuk do të jetë e lehtë. Ka avantazhe që ta bëjmë këtë me sa më shumë miq nga komuniteti ndërkombëtar…”

Ukraina ka bërë thirrje tashmë për një gjykatë të tillë – të ngjashme me ato të ngritura për të gjykuar mizoritë e kryera gjatë gjenocidit në Ruandë ose në ish-Jugosllavi.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy e përsëriti këtë kërkesë nëpërmjet një lidhjeje videofonike gjatë takimit të së enjtes në Holandë, të titulluar “Llogaridhënia për Ukrainën”.

Vendet pjesëmarrëse premtuan 20 milionë dollarë për të mbështetur Gjykatën Penale Ndërkombëtare të OKB-së (ICC), dhe ekspertë të tjerë që hetojnë mizoritë e dyshuara të lidhura me konfliktin e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Rusia ka mohuar të ketë vendosur në objektiv civilët në Ukrainë.

ICC-ja nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht autorët e dyshuar, sepse as Ukraina dhe as Rusia nuk janë vende anëtare të gjykatës.

Por prokurori i ICC-së Karim Khan tha se gjykata kishte mjete të fuqishme për të ndihmuar në vendosjen e drejtësisë dhe se koordinimi midis vendeve ishte kyç.

“Kjo duhet të shkojë përtej Ukrainës, sepse çdo jetë ka rëndësi. Asnjë popull i botës nuk është më i çmuar se njerëzit e tjerë”, tha zoti Khan.

Duke folur në emër të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e dërguara e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Uzra Zeya tha se mizoritë për të cilat akuzohet Rusia në Ukrainë, u ngjasojnë atyre që ajo ka bërë në vende të tjera.