Një ligj i ri që ndalon ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël është një fitore për aktivistët e mjedisit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ata thonë se infrastruktura dëmton ekosistemet e brishta të lumenjve, ndërsa planifikojnë të vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e rrjedhave të veçanta ujore në mbarë Ballkanin.
Lumi Neretva në Bosnje dhe Hercegovinë është një parajsë piktoreske dhe një vend ideal për adhuruesit e sporteve ujore.
Më në fund, aktivistët e Ballkanit shënuan një fitore të rëndësishme në ruajtjen e tij dhe lumenvje të tjerë në vend.
Një ligj i ri për energjinë elektrike, ndalon ndërtimin e mëtejshëm të hidrocentraleve të vegjël në pjesën më të madhe të Bosnjes.
Fitorja për aktivistët erdhi pas një dekade betejash gjyqësore dhe protestash në rrugë.
“I gjithë biznesi me hidrocentralet e vegjël filloi para rreth 15 vitesh, kur investitorët nisën të vizitonin fshatrat me premtime për banorët lokalë. Ata premtonin se lumenjtë do të zbukuroheshin, do të prodhohej sasi e konsiderueshme e energjisë së pastër elektrkike, ndërsa komuniteteve lokale iu premtuan përfitime të mëdha”, thotë Lejla Kusturica, aktiviste për mbrojtjen e lumenjve.
Ajo thotë se investitorët përdornin tubacione për të devijuar rrjedhën, duke penguar qasjen tek uji të banorëve vendas dhe kafshëve të egra, si dhe duke gërryer e degraduar pyjet.
“Ndikimi i hidrocentraleve ishte shumë i dëmshëm. Dëmet nga humbja e ujit që njerëzit e përdornin për bujqësi, dëmi ppërtafshët dhe erozioni i pyjeve u bë i dukshëm, sa mund të dallohej me sy”, thotë ajo.
Autoritetet u ofronin investitorëve subvencione publike dhe përcaktuan çmimet për kontrata afatgjate, duke argumentuar se kjo do ta ndihmonte Bosnjen të ulte varësinë e saj nga qymyri dhe të përshpejtonte kalimin tek energjia e rinovueshme.
Lehtësirat u pasuan me ndërtimin e 110 hidrocentraleve në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, të mbledhura me mundin e aktivistëve, pronarët e hidrocentraleve të vegjël në Bosnje, gjatë dekadës së fundit përfituan miliona euro subvencione, ndërsa paguajnë tarifa të vogla koncesioni, zakonisht midis 1 deri 3 për qind të të ardhurave të tyre.
Tranzicioni i premtuar drejt energjisë së rionvueshme nuk ndodhi kurrë.
Më 2021, këta hidrocentralë kontribuan vetëm pak mbi 2.5 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Bosnje.
Banorët e fshatrave dhe qyteteve buzë lumenjve të Bosnjës, filluan në mënyrë spontane të organizohen kundër hidrocentraleve, duke dokumentuar shkatërrimet e mjedisit dhe sfiduar në gjyq autoritetet që lejonin vazhdimin e projekteve të reja.
Rezistenca bëhej edhe me protesta paqësore në rrugë dhe ura, për të penguar punimet dhe dërgimin e makinerive tek lumenjtë
Ndonjëherë, autoritetet lokale përdornin dhunën për shpërndarjen e aktivistëve.
Gradualisht lëvizja fitoi mbështetje të gjerë popullore në Bosnje dhe jashtë saj, veçanërisht kur u zbulua se kontrata të shumta për shfrytëzimin eclumenjve u ishin dhënë personave të afërt me politikën.
“Njerëzit në Ballkan u ngritën në këmbë kundër investitorëve në lumenjtë e tyre. Ata nuk kishin njohuri, nuk ishin ekspertë ekologjikë apo shkencëtarë. Ishin njerëz të thjeshtë që jetonin pranë lumit, që nuk donin t’u vidhej lumi. Prandaj u ngritën në këmbë”, thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Shpëto Syrin e Kaltër të Evropës”, që ka për qëllim mbrojtjen e të gjithë lumenjve të egër të Ballkanit.
Sipas tij, Ballkani ka mbi 28 kilometra rrugë ujore pothuajse natyrale, me brigje të gjera, rrethuar nga pyje të paprekura, gryka të thella, ujëvara spektakolare dhe madje edhe lumenj nëntokësorë karstikë.
Beteja ishte e ashpër veçanërisht përgjatë lumit Neretva, që përshkon dy zonat administrative të Bosnjes.
Në fillim, ndalimi i shfrytëzimit tregtar të Neretvës dhe degëve të saj, ku ishin planifikuar 67 termocentrale të reja të vogla, dukej i pamundur.
Problemi kërkonte njohuri të thella të ligjeve të ndryshme dhe ndonjëherë kontradiktore në dy pjesët adiministrative të Bosnjes.
Por ndryshe nga çdo çështje tjetër, mbrojtja e lumenjve bashkoi banorë të etnive të ndryshme.
Deri tani, aktivistët ndaluan, ose vonuan ndërtimin e 56 hidrocentraleve në pellgjet e lumit Neretva.
“Në vende si ky, është e rëndësishme që të bashkohen forcat, jo vetëm në nivel lokal por edhe ndërkombëtar, sepse bashkëpunimi me ekspertë të tjerë mundëson analizimin e informacioneve në mënyrë më të detajuar dhe arritjen e rezultateve më të mëdha. Një bashkëpunim i tillë të bën të ndihesh mirë”,thotë hidrobiologu Stefan Andius.
Megjithatë, fitorja e fundit e aktivistëve ka kufijtë e saj.
Ligji i ri i energjisë elektrike u jep koncesionarëve ekzistues tre vite kohë për marrjen e lejes së nevojshme dhe miratimin nga komunitetet lokale për vazhdimin e projekteve të tyre.
Kjo ka ngjallur frikën se investitorët dhe autoritetet lokale do të gjejnë përsëri mënyra për të shmangur rregullat.
Në përgjithësi, mbi 2 mijë e 700 hidrocentrale, të mëdhenj e të vegjël, parashikohet të ndërtohen në lumenjtë e Ballkanit, përfshirë disa që ndodhen brenda parqeve kombëtare.
Vetëm Bosnja që ka 244 lumenj, kishte plane për ndërtimin e mbi 350 hidrocentraleve.
“Ne do të përdorim rrugët ligjore sa më shumë që mundemi, por nëse kjo dështon, jemi gati të mbrojmë këtë zonë duke bllokuar hyrjen e investitorëve dhe makinerive të tyre me trupat tanë”, thotë Oliver Arapoviç, aktivist për mjedisin.
Në disa raste, gjykatat boshnjake thanë se autoritetet kishin dështuar në përmbushjen e kërkesave të komuniteteve lokale për konsultim dhe studimin e ndikimeve mjedisore të investimeve, para se të jepnin pëlqimin e tyre.
Megjithatë, autoritetet kishin lejuar vazhdimin e ndërtimeve pavarësisht sfidave të sukesseshme ligjore.
Ligjvënësit në pjesën tjetër gjysmë-autonome të Bosnjes, Republika Srpbsa, pas presionit publik ndërprenë subvencionet për termocentralet e reja me kapacitet mbi 150 kW, në vend të një ndalimi të plotë.
Njëkohësisht, disa komuna në Republikën Srpska u distancuan nga projektetet e hidrocentraleve të vegjël.
Aktivistët thonë se i pret një rrugë e gjatë, por se nuk do të ndalen në betejën e tyre për mbrojtjen e lumenjve nga degradimi, devijimi dhe komercializimi nga njerëz që janë të afërt me elitën e korruptuar politike.