Ballina Aktualitet Ndotja e ajrit shkaktoi 10% të vdekjeve në Shqipëri – Arsyet, pse...

Ndotja e ajrit shkaktoi 10% të vdekjeve në Shqipëri – Arsyet, pse duhen shmangur qeset plastike

 

Në vendet me të ardhura të ulëta rreth 90% e mbetjeve përfundojnë në landfill ose digjen në sipërfaqe të hapura. Ne kemi krijuar një botë të mbushur me plastikë në vetëm 60 vite. Me gjithë teknologjinë dhe me ndërgjegjësimin në rritje, ne ende mund ta kthejmë atë dhe t’i parandalojmë fëmijët tanë të trashëgojnë një botë plastike.

Shqipëria si çdo qytet tjetër në Ballkan sfidohet nga ndotja e ajrit. Një nga problemet më serioze që ndikon direkt shëndetin e njeriut.

Në raportin e kostove që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve, Banka Botërore përllogariti se në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kishin humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë. Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 për qind të totalit të vdekjeve në vitin 2019. Sipas të dhënave të brendshme nga INSTAT, në vitin 2019 në vendin tonë kanë humbur jetën 21,937 persona. Sipas përllogaritjeve të Bankës Botërore, Shqipëria kishte 83 vdekje për 100 mijë banorë nga faktorët e ndotjes ambientale, një vlerë e lartë në krahasim me vendet në zhvillim, por e kishte këtë tregues më të ulët se vendet e rajonit. Nga totali i vdekjeve që shkaktoi ndotja, 1532 ishin krijuar nga mjedisi i jashtëm dhe 724 nga mjedisi brenda shtëpisë.

Një nga elementët kritikë që shkakton ndotjen e ajrit është përdorimi i qeseve plastike. Në nivel global, ne përdorim 160,000 qese plastike çdo sekondë!

Kjo plastikë kur depozitohet në landfill ose gjetkë, e gjen rrugën e saj drejt oqeaneve tona – duke vrarë gjitarët detarë që e ngatërrojnë atë me ushqim. Kjo është vetëm maja e ajsbergut së mbeturinave plastike që po alarmon ambientalistët këto kohë. Ajo që e bën plastikën kaq të dëmshme për njerëzit, kafshët dhe bimët dhe mjedisin tonë është se ajo nuk është e biodegradueshme. Ajo degradohet vetëm pas 700-1000 vitesh. Kjo do të thotë se e gjithë plastika që është prodhuar ndonjëherë nuk është degraduar ende.

Në vendet me të ardhura të ulëta rreth 90% e mbetjeve përfundojnë në landfill ose digjen në sipërfaqe të hapura. Referuar të dhënave për përmbajtjen e mbeturinave nga e gjithë bota, studiuesit nga King’s dhe Imperial College në Londër kanë vlerësuar se bloza nga djegia e mbeturinave çliron 2% deri në 10% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit, e cila ndikon në ngrohjen globale. Djegia e mbetjeve plastike në fusha të hapura është burimi kryesor i ndotjes së ajrit. Rreth 12 për qind e shumicës së mbetjeve të ngurta në nivel bashkie përbëhen nga plastika dhe 40 për qind e mbeturinave në botë digjen, sipas një studimi “Një përmbledhje – Ndotësit toksikë nga mbetjet plastike”.

Çfarë e shkakton ndotjen e ajrit nga plastika?

Materialet plastike janë kudo. Ne përdorim qese plastike, pipëza dhe shishe plastike për një kohë shumë të shkurtër dhe më pas i hedhim. Megjithatë, ato mbeten toksike përgjithmonë.

Plastika prodhohet nga materiale toksike si benzeni dhe hidroklorid vinili. Ato janë të destinuara të jenë toksike që nga lindja deri në përjetësi. Këto kimikate dihet se shkaktojnë kancer dhe nënproduktet e tyre kontaminojnë ajrin dhe tokën tonë. PVC-ja është burimi kryesor i dioksinës.

Ftalatet janë një tjetër kimikat toksik që i shtohet plastikës për t’i bërë ato më të buta dhe më të lakueshme. Ky material ndikon në fertilitet, çrregullon funksionin e gjëndrave endokrine, shkakton defekte në lindje dhe probleme të tjera shëndetësore. Problemi me ftalatin është se ai nuk është i lidhur kimikisht me produktet, kështu që ai avullon lehtësisht në ajër. Kjo erë e re “plastike” është aroma e gazrave të ftalateve. Mos e nuhatni atë!

Si mund të ndihmoni në parandalimin e ndotjes nga plastika

Këshilla është ndaloni plastikën! Riciklimi i saj nuk zgjidh asgjë. Ne thjesht e kthejmë atë nga një formë toksike në një tjetër. Por derisa të gjejmë një material të ri për ta zëvendësuar atë, gjëja më e mirë për të bërë është të reduktojmë përdorimin e plastikës.

Përdorni çantat tuaja kur bëni blerje. Ricikloni të gjithë plastikën tuaj. Mbajeni larg nga landfill-et dhe larg oqeanit.

Mund të duket si një përpjekje e vogël, por nuk është. Së bashku, ne mund të ulim në mënyrë drastike mbetjet tona plastike. Kur ka më pak kërkesë për plastikë, do të ketë gjithashtu një ulje të prodhimit. Kjo është fuqia juaj si konsumator! Ju mund të zvogëloni kërkesën.

Ne kemi krijuar një botë të mbushur me plastikë në vetëm 60 vite. Me gjithë teknologjinë dhe me ndërgjegjësimin në rritje, ne ende mund ta kthejmë atë dhe t’i parandalojmë fëmijët tanë të trashëgojnë një botë plastike.

*Samel Kruja, eksperte për çështjet e mjedisit. Ky artikull i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit mbi shmangien e përdorimit të qeseve plastike, mbështetur nga UNICEF dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit./Revista Monitor