Ballina Bota SHBA, disa kompani do të paguajnë udhëtimet e stafit për aborte

SHBA, disa kompani do të paguajnë udhëtimet e stafit për aborte

 

Kompani të mëdha amerikane sikurse Disney, JP Morgan dhe Meta, i kanë thënë stafit se do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimeve për gratë që duan të kryejnë aborte, teksa miliona gra amerikane përballen me kufizime të reja.

Ato kanë bërë këto zotime pas një vendimi të Gjykatës Supreme që ka përmbysur të drejtën kushtetuese për abort.

Vendimi i gjykatës u hap rrugën shteteve që të marrin vendime nëse mëtojnë të ndalojnë këtë procedurë.

Edhe kompanitë tjera, përfshirë Amazon, kanë bërë të ditur vendim të njëjtë.

Shumë kompani kanë konfirmuar se do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit përmes planit për kujdes shëndetësor, për punëtoret që dëshirojnë të shkojnë në shtetet brenda SHBA-së, ku mund të kryhet aborti.

Disney ka deklaruar se u ka thënë punëtoreve se e kupton ndikimin e vendimit të Gjykatës Supreme, dhe se kompania mbetet e përkushtuar për t’iu ofruar atyre qasje në kujdes shëndetësor, përfshirë planifikimin familjar, “pavarësisht se ku jetojnë”.

Diseny punëson rreth 80,000 njerëz në Florida, ku guvernatori i shtetit tashmë ka nënshkruar në ligj ndalesën për aborte, pas javës së 15-të të shtatzënisë.

Vendimi do të nisë së zbatuari nga 1 korriku.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.

Një total prej 13 shteteve tashmë kanë miratuar ligjet që ndalojnë abortin.

Më shumë se 20 shtetet tjera janë duke bërë kufizime.

Kompanitë që po ofrojnë mbulimin e shpenzimeve për punëtoret – ashtu që të shkojnë në një shtet të sigurt për të kryer abortin – pritet të përballen me kritika nga republikanët.