Ballina Rajoni Turqia shtrëngon kushtet për lejet e qëndrimit për shtetasit e huaj

Turqia shtrëngon kushtet për lejet e qëndrimit për shtetasit e huaj

 

Turqia do të shtrëngojë kushtet për lejet e qëndrimit për shtetasit e huaj, përfshirë ata sirianë, në disa rajone duke filluar nga muaji i ardhshëm, njoftoi sot ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu.

Turqia është shtëpia e një prej popullsive më të mëdha të refugjatëve në botë, duke përfshirë mbi 3.7 milionë nga Siria fqinje.

Vendi njoftoi fillimisht në muajin shkurt se shtetasit e huaj, përfshirë sirianët, nuk do të pranohen më në zonat ku popullsia e huaj përbën mbi një të katërtën e totalit.

“Pas rishikimit kjo shifër ka shënuar një rënie në 20%. Lejet e reja të qëndrimit nuk do të lëshohen më në rreth 1200 lagje në të gjithë Turqinë”, u shpreh ai.

“Turqia gjithashtu nuk do t’i lejojë sirianët të vizitojnë familjet në Siri për festën e ardhshme muslimane të Kurban Bajramit”, tha Soylu. Festa e këtij viti është planifikuar për në mes të korrikut.

I njëjti vendim u aplikua në fillim të këtij viti për festën e “Fitër Bajramit” që shënoi fundin e Ramazanit.