Ballina Bota Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë një paketë mbështetjeje prej 10 miliardë...

Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë një paketë mbështetjeje prej 10 miliardë paund për faturat e energjisë

 

Një paketë mbështetjeje prej 10 miliardë paund do të prezantohet nga qeveria për të ndihmuar konsumatorët familjarë me faturat e larta të energjisë.

Skemat e tilla si “Warm Homes Discount” mund të vazhdojnë të zgjerohen, ndërsa kancelari Rishi Sunak pritet të njoftojë të enjten disa përjashtime nga taksat bashkiake.

Në këtë paketë mund të përfshihen gjithashtu ndihma financiare për familjet më vulnerabël, si dhe një ulje tjetër e TVSH-së për karburantet.

Paketa e mbështetjes pritet të financohet pjesërisht nga taksa e fitimeve të papritura mbi firmat e naftës dhe të gazit, e cila mund të arrijë të mbledhë 7 miliardë paund.

Qeveria ka qenë nën një presion të shtuar për të ndërmarrë veprime konkrete, në rrethanat kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm për konsumatorët familjarë, por disa anëtarë të kabinetit kanë qenë kundër taksimit të kompanive të energjisë, për shkak të frikës se kjo do të sillte reduktimin e investimeve të tyre në projektet e Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo paketë vjen në kohën kur qeveria po përballet me kritika pas publikimit të raporti të Sue Grey mbi thyerjen e kufizimeve të pandemisë për shkak të festave në Downing Street. Boris Johnson synon të vazhdojë të ofrojë ato që ai i quan “prioritetet e njerëzve”.

Me sa kuptohet, paketa e re e mbështetjes për familjet do të arrijë në të paktën 10 miliardë paund dhe mund të përfshijë një zgjerim të mëtejshëm të ndihmave ekzistuese, siç është “Warm Homes Discount”, ndihma financiare për familjet më vulnerabël dhe ndoshta një ulje tjetër të taksave bashkiake dhe të TVSH-së për karburantin.

Skema aktuale e “Warm Homes Discount” u ofron familjeve me të ardhura të ulëta një zbritje vjetore prej 150 paund në faturën e tyre të energjisë elektrike, midis tetorit dhe marsit. Kancelari Rishi Sunak njoftoi në shkurt se kjo skemë do të zgjatej deri në mars të vitit 2026 dhe do të ishte e hapur për tre milionë njerëz.

Gjithashtu, është ofruar mbështetje në formën e një reduktimi prej 200 paund në faturat e energjisë këtë vjeshtë, por këto para do të duhet të paguhen nga konsumatorët gjatë pesë viteve të ardhshme. Përveҫ kësaj, do të ketë edhe një rimbursim prej 150 paund për taksat bashkiake, për të gjithë njerëzit që jetojnë në zonat A-D në Angli. Skema të ngjashme janë ofruar edhe në Uells dhe në Skoci.

Fatura mesatare e energjisë për konsumatorët familjarë u rrit mesatarisht me 700 paund në muajin prill dhe do të rritet me 800 paund të tjera në tetor, paralajmëroi agjencia rregullatore e energjisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Shefi i Ofgem tha për deputetët të martën se kufiri i çmimit të energjisë, i cili kufizon përmasat e rritjes së ҫmimeve që mund të aplikohen nga furnitorët, pritet të rritet për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në çmimet e gazit.

Kjo do të thotë se fatura tipike për një familje britanike mund të rritet me 800 paund në vit, duke shkuar në 2,800 paund. Ofgem paralajmëroi se 12 milionë familje mund të futen në atë që njihet si “varfëria energjetike”./ BBC