Ballina Aktualitet Mbi 960 amerikanëve u ndalohet hyrja në Rusi

Mbi 960 amerikanëve u ndalohet hyrja në Rusi

 

Rusia ka publikuar një listë prej 963 zyrtarëve qeveritarë dhe udhëheqëve amerikanë, të cilëve ua ka ndaluar hyrjen në këtë shtet, si shenjë hakmarrjeje ndaj masave të ngjashme të Uashingtonit, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Në listën e publikuar përfshihen presidenti amerikan, Joe Biden, dhe liderë biznesesh sikurse ai i Facebook-ut, Mark Zuckerberg.

Në listë është edhe Jamie Fly, president i Radios Evropa e Lirë, bashkë me disa anëtarë dhe ish-anëtarë të bordit që mbikëqyr REL-in.

Në këtë veprim simbolik të Rusisë janë përmendur edhe emra nga administrata e Bidenit si, nënpresidentja amerikan, Kamala Harris, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Rusia ka vënë ndalesë edhe ndaj tre ish-senatorëve që janë të vdekur: John McCain, Harry Reid dhe Orrin Hatch.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë në një deklaratë se vendimi ka qenë përgjigje ndaj “sanksioneve anti-ruse” dhe synojnë të kufizojnë SHBA-në, e cila është duke tentuar të zbatojë “një rregull botëror neokolonial”.

Në dokument është thënë se Moska mbetet e hapur për “dialog të sinqertë” dhe ka bërë dallim mes popullit amerikan dhe autoriteteve që ka thënë se janë “rusofobe”.

Ministria ruse ka vënë ndalesë edhe ndaj 26 kanadezëve, përfshirë Sophie Trudeau, gruan e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau.