Ballina Aktualitet Ide të zgjerimit të BE në situatën e re gjeopolitike

Ide të zgjerimit të BE në situatën e re gjeopolitike

Dëshira për përparim konkret në afrimin e shteteve të interesuara me BE ka çuar në propozime javët e fundit. Situata e re gjeopolitike në botë i bën krijues disa politikanë evropianë në detyrë.

Javët e fundit, janë paraqitur disa përfytyrime se si mund t’i afrojë Bashkimi Evropian shtetet me vlera të ngjashme, por që aktualisht nuk mund ose nuk duan të anëtarësohen në BE.

Ishte ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg që tha në 23 prill, në kuadër të samitit mediatik në Lech am Arlberg se “duhet ta rimendojmë nga e para të gjithë politikën tonë të zgjerimit dhe të fqinjësisë”.

Sipas ministrit të Jashtëm austriak, kur u thuhet shteteve “po, ju jeni pjesë e Evropës”, kjo nuk duhet të kuptohet e të funksionojë vetëm përmes anëtarësimit në BE.  Ai kujtoi faktin se proceset e anëtarësimit, p.sh. me vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë zgjatur me dekada pa sukses. Prandaj ai shpreh në favor të “ofertave të personalizuara për lidhjen më të afërt të mundshme me Ukrainën”.

Schallenbergu tha se për t’i larguar nga orbita e Rusisë vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ai përfytyronte një sistem, ku ato të integroheshin në fusha specifike, si energjia, transporti dhe tregu i brendshëm, por pa i bërë anëtare zyrtare të BE.