Ballina Aktualitet Charles Michel: Platformë politike për vende jo anëtare në BE

Charles Michel: Platformë politike për vende jo anëtare në BE

 

Presidenti i KE, Charles Michel: Në situatën e krijuar nga agesioni rus ndaj Ukrainës integrimi europian ka nevojë për mënyra inovative, përtej modeleve tradicionale.

“Përballë situatës së krijuar nga agesioni rus ndaj Ukrainës integrimi europian ka nevojë për mënyra inovative, përtej modeleve tradicionale, ka nevojë për stimuj të rinj, që të përshpejtohet procesi i integrimit europian.” – deklaroi Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë një vizite në Tiranë. Si një mënyrë të tillë për vendet që nuk janë ende anëtarë të BE, ai paraqiti krijimin e një “Platforme Politike.”

“Objektivi ynë kryesor është t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE. Është shumë e rëndësishme të mos presim vendimin përfundimtar për anëtarësimin në BE por të kemi një platformë politike që mungon. Ky nuk është një justifikim tjetër, që të shtyjmë procesin, përkundrazi është që t’i japim një shtysë më të madhe politike bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës,” tha Charles Michel.

Ai theksoi se “duhet të përfshijmë në nivel politik të gjithë udhëheqësit që t’i kemi së bashku me 27 udhëheqësit e BE-së. Këtë qasje duhet ta zbatojmë menjëherë pa pritur aspak një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE”.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi të nevojshme një “Platformë Politike” për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,(BP) “në mënyrë që Bashkimi Europian të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me BE kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian, të kapitujve dhe të hedhur një hap më tutje për t’u afruar politikisht shumë më pranë BP”.