Ballina Histori Krimet nëpër burgjet serbo-sllave!

Krimet nëpër burgjet serbo-sllave!

 

(Pjesë e shkëputur nga libri “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”!)
Dëshmi rrëqethëse e Ibrahim (Selmon) Isufaj, i lindur më 11 tetor 1951 në Gramaçel, i cili kishte përjetuar ditë të tmerrshme nëpër burgjet serbe, përjetime edhe në Dubravë të Istogut. Në dëshminë e tij, Ibrahimi ka rrëfyer se si ishte arrestuar nga ushtria serbe, së bashku me disa të tjerë, duke bërë që të përjetojnë torturat më të rënda kriminale.
“Ishte 6 gusht 1998, kur në bjeshkët e Strellcit jemi arrestuar nga ushtria serbe. Së bashku me Izet Zenunin nga Gramaçeli, Mujë Zekaj dhe Selmon Ukëhaxhaj, që të dy nga Carrabregu, jemi arrestuar nga ushtarët jugosllav, duke na dërguar në karaullin e Kozhnjerrit. Në këtë objekt ushtarak jemi mbajtur nga ora 17.30, deri të nesërmen në 8.30, ku na dërgojnë në bazën ushtarake në Gjakovë, duke na mbajtur për tri ditë. Përjetimet e tmerrshme ishin brenda Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Gjakovës, ku jemi mbajtur dy ditë, ku përjetuam torturat më të egra. Nga këtu na përcjellën për në SPB të Pejës, ku jemi marrë në pyetje nga dy inspektorë, Demë Mujaj dhe Zita Cokovic. Pas shumë maltretimeve që i përjetuam për tri ditë në Pejë, më 29 shtator 1998, na dërguan në burgun e Lipjanit, së bashku me mbi 100 të burgosur të tjerë. Aty i njoha, Ibër Metaj nga Hereqi i Gjakovës, Metë Osmonaj nga Isniqi, Adem Jasiqi nga fshati Jasiq, Ismet Musaj nga Strellci, etj. Nga Lipjani për në burgun e Dubravës, na kanë dërguar me 5 dhjetor 1998, duke na torturuar shtazarakisht. Torturat e kësaj natyre ishin të vazhdueshme.
Më kujtohet se më 16 maj 1999, nga burgu i Dubravës janë liruar Ukshin Hoti dhe Shkëlzen Pepshi, të cilët zhduken pa gjurmë. Ndërkaq, më 18 maj 1999, është liruar Rasim Plava, i liruar me 18 ditë vonesë, bazuar në aktgjykimin kundër tij. E, më 19 maj 1999, për të parën herë dëgjohen granatimet e NATO-s, ku mbesin të vrarë tre persona dhe gjashtë të plagosur. Kurse, më 21 maj 1999, në burgun e Dubravës janë vrarë 16 persona. Të nesërmen, diku rreth orës 6.30, na kanë tubuar në një fushë sporti, duke gjuajtur në drejtim tonin. Gjuajtjet ishin nga të gjitha anët.  U përdorën lloj lloj armësh. Asgjë nuk dinim për numrin e të vrarëve apo të plagosurve. Që të gjejmë strehim e të shpëtojmë nga vrasjet kriminale, kemi hyrë nëpër podrume apo rrjete të kanalizimit. Zoti na ka shpëtuar. Kur kemi dalë nga vendet që ishim të fshehur, një gardian me pseudonim MIKI, na ka thënë që t’i mbledhim të vrarët dhe t’ua shënojmë emrat e atyre që identifikoheshin. Më kujtohen Metë Osmonaj nga Isniqi, Ibër Metaj nga Hereqi, Naim Kurmehaj nga Strellci, Dervish Sylaj nga Ratishi, Zekë Hasanmetaj nga Strellci, Gani Lekaj nga Lumbardhi. Sa më kujtohet ishin 185 të vrarë dhe 273 të plagosur, në mesin e të cilëve edhe vet.

Më 24 maj 1999, gjithë çka kishim fatin të mbesim të gjallë, na kanë dërguar në burgun e Lipjanit, ku qëndruam deri më 10 qershor. Këtë ditë na dërguan nëpër burgjet e Serbisë. Nga torturat që na bënin, sa më kujtohet ka vdekur një 26 vjeçar nga Skivjani i Gjakovës. Në burgun e Pozharevcit ishim së bashku me djalin tim, Ramizin, Muhamet Avdijaj, Mujë Zekaj, Izet Zenuni, Xhafer Qufaj, Gani Baqi, e të tjerë që s’po mund t’ua kujtoj emrat. Torturat kriminale kanë vazhduar deri në lirimin tim, më 11 shkurt 2000, lirim i bërë me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar”,-ka treguar Ibrahimi në dëshminë e tij.