Real Madrid nënshkroi një marrëveshje të re prej 360 milionë eurosh me grupin e investimeve Sixth Street dhe shoqërinë amerikane që vepron në sektorin e argëtimit sportiv, Legends Hospitality, për organizimin e koncerteve dhe eventeve të tjera në “Santiago Bernabéu”, duke diversifikuar në këtë mënyrë të ardhurat.
Si pjesë e marrëveshjes do të krijohet një shoqëri e re për menaxhimin e stadiumit dhe të ardhurat nga biznesi i ri do të ndahen në dy pjesë.
70% e të ardhurave do të shkojnë për Real Madridin, ndërsa pjesa e mbetur, 30%, do t’i kalojë Sixth Street.
Marrëveshja 20-vjeçare është pjesë e planeve të Blancos për rinovimin e “Santiago Bernabéu”, që do të shndërrohet në një stadium të vërtetë të teknologjisë moderne, i cili do të “jetojë” shtatë ditë në javë dhe jo vetëm në ditët e ndeshjeve.
Për të qenë në gjendje të mirëpresë evente dhe ngjarje të tjera sportive, klubi i Real Madridit po punon për të instaluar “një mbulesë” (e cila mund të hapet dhe mbyllet sipas nevojës) dhe një terren lojërash. Punimet do të përfundojnë vitin e ardhshëm dhe do të mundësojnë organizimin e koncerteve dhe eventeve të tjera në impiantin sportiv.
“Transformimi i stadiumit ‘Santiago Bernabéu’ do të jetë një pikë kthese në historinë e Real Madrid. Kjo marrëveshje do të jetë e rëndësishme për ofrimin e përvojave unike në një stadium ku mund të organizohen ngjarje të shumta gjatë gjithë vitit”, tha Florentino Pérez, presidenti i Real Madrid.