Ballina Muzikë Italia parandaloi sulme kibernetike nga grupe pro-ruse gjatë Eurovisionit

Italia parandaloi sulme kibernetike nga grupe pro-ruse gjatë Eurovisionit

 

Policia italiane tha se ka penguar sulmet e hakerëve nga grupet pro-ruse gjatë gjysmëfinales së 10 majit dhe finales së 14 majit të Festivalit të Këngës Eurovision, që u mbajt në Turin.

Policia tha më 15 maj se gjatë operacioneve të votimit dhe performancave të garuesve, autoritetet kishin arritur të pengonin disa sulme kibernetike në infrastrukturën e rrjetit nga grupi i hakerëve Killnet dhe nga bashkëpunëtorët e këtij grupi, Legion.

Kalush Oechestra nga Ukraina fitoi Eurovisionin më 15 maj.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme kibernetike në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe në infrastrukturë.

Javën e kaluar, hakerët pro-rusë sulmuan disa ueb-faqe të institucioneve italiane, përfshirë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Senatit.

Disa sulme të tjera të raportuara thuhet se kanë penguar punën e disa institucioneve, përfshirë edhe të ueb-faqes së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Mediat italiane thanë se grupi pro-Kremlinit, Killnet, ka pranuar se qëndron prapa sulmeve kibernetike.

Në prill, Killnet shënjestroi ueb-faqet e Qeverisë së Rumanisë për shkak të mbështetjes që ky vend i jep Ukrainës në luftën kundër Rusisë.