Ballina Aktualitet Finlanda dhe Suedia pritet të bëjnë kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO...

Finlanda dhe Suedia pritet të bëjnë kërkesë zyrtare për anëtarësim në NATO këtë muaj

 

Finlanda dhe Suedia pritet të aplikojnë zyrtarisht për t’iu bashkuar NATO-s gjatë këtij muaji. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Helsinki, autoritetet e të dyja vendeve thonë se sulmi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë, ka ndryshuar dinamikën e sigurisë në Evropë dhe se kërcënimi bërthamor i Kremlinit, kërkon mbrojtjen kolektive, që ofron aleanca.

Prej dekadash, edhe gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, Finlanda ka ruajtur një kurs të kujdesshëm neutraliteti, ndërsa NATO dhe Rusia përpiqeshin për epërsi në Evropë.

Por situata ka ndryshuar në harkun kohor të brenda pak muajve. Perfaqësues të qeverisë finlandeze i thanë Zërit të Amerikës se presin të aplikojnë zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO brenda dy javëve të ardhshme.

Është e qartë se gjithçka ka ndryshuar që kur Rusia filloi luftën në Ukrainë. Ne duhet të marrim vendime bazuar në interesin tonë kombëtar. Cila është mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e finlandezëve dhe të Finlandës? Ne jemi pjesë e Perëndimit dhe anëtarësimi në NATO është një lloj finalizimi i integrimit tonë perëndimor”, thotë Tytti Tuppurainen, Ministre e Finlandës për Çështjet Evropiane.

Mendimi i opinionit publik ka ndryshuar, që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Në fund të vitit të kaluar, një e katërta e popullsisë finlandeze u shpreh pro anëtarësimit në NATO. Sondazhi i fundit tregon se 76 për qind janë në favor të bashkimit me aleancën.

Ne nuk mund të jetojmë si më parë me një fqinj kaq të paparashikueshëm. Ndaj NATO është mundësia e vetme si zgjidhje për sigurinë (tonë)”, thotë Pekka Luhta, banor i Helsinkit

Nëse shikoni faktet gjeografike, ne jemi i vetmi vend evropian, jo anëtar i NATO-s, fqinj me Rusinë, që nuk është sulmuar deri më tani. Sipas meje kjo tregon dhe arsyen, pse ne duhet t’i bashkohemi (aleancës). Nuk i besoj shumë Rusisë”, thotë Sanna Allt, banore e Helsinkit.

Finlanda po shqyrton një aplikim të përbashkët për anëtarësim në NATO me Suedinë, e cila deri më tani ka mbajtur gjithashtu një status neutral. Aleanca e ka bërë të qartë se Finlanda dhe Suedia, janë mëse të mirëpritura dhe mund të anëtarësohen brenda disa muajsh.

Të dyja janë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Trupat e tyre ushtarake marrin pjesë rregullisht në stërvitjet e NATO-s dhe janë të afta të përfshihen në aktivitete luftarake në rajonin e Arktikut. Ato do të rrisnin ndjeshëm aftësitë e aleancës në Baltik dhe Evropën Veriore, ku Rusia ka një prani masive ushtarake.

Do të ishte një grup i konsiderueshëm i kombeve nordike brenda aleancës në të ardhmen. Dhe kjo ka një kuptim. Së dyti janë aftësitë dhe njohuritë ushtarake. Mendoj se ne kemi një forcë moderne e të aftë mbrojtëse, që kemi ndërtuar ndër vite”, thotë Gjenerali Sami Nurmi (Ministria Finlandeze e Mbrojtjes).

Rusia ka kërcënuar me atë që e quan një “përgjigje teknike ushtarake” nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, duke përfshirë dislokimin e armëve bërthamore në enklavën ruse të Kaliningradit. Por kërcënime të tilla bërthamore, mund të kenë prodhuar efektin e kundërt.

Një kërcënim të tillë nuk e kemi parë as gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo është shqetësuese dhe një nga arsyet e qarta pse elita politike finlandeze po ndryshon mendim, se megjithëse mbrojtja e Finlandës mund të jetë e fortë, ajo kurrë nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë një sistem ​të fortë parandalues ​bërthamor. Mënyra e vetme për ta bërë këtë, është anëtarësimi në NATO”, thotë Charly Salonius-Pasternak, përfaqësues i Institutit finlandez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Para sulmit në Ukrainë, Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi që NATO të tërhiqte forcat e saj nga Evropa Lindore. Në vend të kësaj, aleanca duket e vendosur të pranojë anëtarë të rinj.

Ndryshimi rrënjësor i të menduarit mbi politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes nga ana e këtyre dy vendeve, brenda disa muajsh, sigurisht që duhet parë si një tjetër dështim strategjik i Putinit”, thotë analisti Salonius-Pasternak.

Për Finlandën dhe Suedinë, anëtarësimi në NATO do të përfaqësonte një ndryshim tejet të madh në këndvështrimin e saj strategjik.

Që kur shpalli pavarësinë nga Rusia në vitin 1917, Finlanda ka qenë një vend neutral. Por sulmi i Rusisë në Ukrainë ka nxitur një rishikim radikal të nevojave të saj mbi sigurinë, përballë kërcënimit të fqinjit të saj lindor.