Presidenti i Francës Emmanuel Macron shënoi sot në Paris 77-vjetorin e fitores së aleatëve ndaj Gjermanisë naziste, në një ceremoni të veçantë këtë vit në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe përpara paradës tradicionale ushtarake në Moskë në Ditën e Fitores.

Me këtë përkujtim, kreu i shtetit francez fillon një sërë takimesh ndërkombëtare, ai do të flasë sot përmes video-konferencës me liderët e G7 për situatën në Ukrainë, do të shkojë në Strasburg të hënën në Ditën e Evropës dhe gjithashtu në Berlin për t’u takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“77 vjet më vonë, të mos harrojmë heronjtë tanë, ato gra dhe burra që luftuan për t’i dhënë fund luftës në Evropë. Le të qëndrojmë të bashkuar, si evropianë, dhe të punojmë për të rivendosur paqen në kontinentin tonë”, shkroi Macron në Twitter.

Macron, i cili kohët e fundit mori mandatin e tij të dytë, vendosi një kurorë me lule përpara statujës së gjeneralit Charles De Gaulle në fund të Champs Elysees.

Macron shkëmbeu disa fjalë me nipin e gjeneralit De Gaulle, liderit të Francës së Lirë gjatë Luftës së Dytë Botërore, para se të arrinte sërish me makinë në Harkun e Triumfit, i shoqëruar nga Garda e Republikës dhe përshëndetjet e disa kalimtarëve.

Prania publike e kësaj ceremonie u lejua për herë të parë pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë së koronavirusit.

E pyetur për kontekstin shumë të veçantë në të cilin po zhvillohet ceremonia e këtij viti, ministrja e Kulturës Roselyno Bachelot u tha gazetarëve se ky ishte një moment që “fitoi një rëndësi të madhe” me luftën në Ukrainë.

Rusia feston nesër Ditën e Fitores mbi Gjermaninë naziste, e cila do të jetë një mundësi për të demonstruar forcën ushtarake në mes të luftës në Ukrainë.