Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në vizitën zyrtare në Tiranë të enjten, tha se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor është në interes të Bashkimit Evropian dhe kërkoi nga Shqipëria “edhe pak durim”.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Varhelyi u shpreh se objektivi i BE-së është që brenda qershorit të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në kohën kur lufta në Ukrainë po ndodh në pragun e derës së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Duhet, duhet patjetër të përdorim gjithçka që kemi në dorë. Nuk mund të kemi një luftë në Evropë dhe Evropa të mos përdorë gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor. Sepse i gjithë procesi i zgjerimin dhe integrimit ka të bëjë me stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha komisioneri.
Komisioneri për Zgjerim vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe rreshtimin e saj përkrah aleatëve perëndimorë, për t’i dalë kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
“Ka lehtësuar shumë punën në Këshillin e Sigurimit, është vërtetë një partner i yni”, tha Varhelyi.
Ai, edhe nga Tirana ka bërë thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që të hapet rruga për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shkupit dhe Tiranës.
“Duhet ta mbyllim këtë punë, e duhet ta mbyllim tani”, tha Varhelyi.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se për momentin Shqipëria nuk ndahet nga Maqedonia e Veriut, porse nuk mund ta presë Bullgarinë pafundësisht.
“Për momentin ne i respektojmë ekzigjencat e partnerëve për ta çuar këtë proces deri në fund të qershorit me të dy vendet. Mbas edhe këtij rasti, mund të mos funksionojë, atëherë ne do të ndryshojmë kursin dhe kërkesën dhe do të shpjegojmë që nuk mund të presim pafundësisht Bullgarinë”, tha Rama.
Rama, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve foli edhe për iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku përsëriti qëndrimin se puna për këtë iniciativë do të vazhdojë “pa lëkundje”.
“Imagjinoni sikur dikush t’ju thoshte 5 vjet përpara që Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte tre kryeministra shqiptar, sot është realitet, kjo mund të jetë shenjë e mirë apo e keqe nuk e di. Por sot janë tre shqiptarë kryeministra dhe kjo nuk është pak është shumë”, tha Rama teksa tregoi se do ta ftojë edhe një herë Malin e Zi, me kryeministrin e ri, Dritan Abazoviq.
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Tri vende të Ballkanit Perëndimor kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”: Kosova, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Këto vende e shohin si inicativë që shkon në dobi të dominimit rajonal të Serbisë, pa e detyruar atë që të heqë dorë nga politika që e ndjekë në Mal të Zi, BiH e Kosovë.
Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.