Ballina Aktualitet Shefi i OKB-së: Lufta në Ukrainë, “absurditet” i shekullit 21

Shefi i OKB-së: Lufta në Ukrainë, “absurditet” i shekullit 21

 

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur luftën në Ukrainë një “absurditet të shekullit 21”, pas vizitës që ka kryer në qytezën Borodjanka afër Kievit, ku janë gjetur shenja të torturës, pas largimit të trupave ruse nga ai rajon më herët gjatë këtij muaji.

“Imagjinoj familjen time në njërën prej këtyre shtëpive që tani është e shkatërruar dhe e zezë. Shoh mbesat e mia duke ikur në panik. Lufta është absurditet në shekullin 21. Lufta është djallëzore. Nuk ka mundësi që një luftë të pranohet në shekullin 21”, ka thënë Guterres nga Ukraina më 28 prill.

Largimi i forcave ruse nga rajoni afër Kievit ka shpërfaqur të dhëna për vrasje brutale, torturë, varreza masive dhe shënjestrim të civilëve në luftime.

Disa vende, por edhe Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale që të kryejë hetime për të vërtetuar nëse janë kryer krime lufte.

“Mbështes plotësisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe i bëj thirrje Federatës Ruse që të pranojë dhe të bashkëpunojë me këtë Gjykatë. Mirëpo kur flasim për krime lufte, ne nuk duhet të harrojmë që krimi më i madh është vetë lufta”, ka thënë ai.

Pavarësisht të dhënave, Rusia ka hedhur poshtë akuzat se është duke shënjestruar civilët, prej kur ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.