Ballina Shëndet Rreziku i infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve

Rreziku i infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve

 

Mbi 1.2 milionë vetë vdesin çdo vit nga infeksionet bakteriale që janë rezistente ndaj antibiotikëve, sipas një studimi të ri. Kjo i bën këto lloj bakterjesh shumë më vdekjeprurëse se Sida ose malaria. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton.

Ethet tifoide janë një problem në rritje në shumë vende në zhvillim, për shkak të një lloj bakterjeje që është rezistente ndaj antibiotikëve.

Mund të shkaktojë temperaturë të lartë, diarre, të vjella dhe deri në vdekje. Një studim i fundit në Nairobi, nxorri në pah një rritje dramatike të infeksioneve rezistente ndaj ilaçeve.

Është vetëm një nga sëmundjet që po rishfaqet.

Studimi që është më i madhi me pjesëmarrjen e shumë vendeve, tregon se në mbarë botën, rreth 1.27 milionë njerëz vdiqën nga infeksionet e shkaktuara nga një bakterje rezistente ndaj shumë antibiotikëve.

Vlerësohet se nëse nuk gjejmë zgjidhje, deri në vitin 2050 do të humbasim miliona jetë dhe 100 trilionë dollarë prodhim (ekonomik)“, thotë prof. Antonia Sagona e Universitetit të Uoruikut në Britani.

Studimi – i publikuar në revistën Lancet dhe i udhëhequr nga Universiteti i Uashingtonit – analizoi të dhëna nga 204 vende.

Vendet më të varfra janë goditur më rëndë nga rezistenca ndaj antibiotikëve, veçanërisht Afrika Nënsahariane dhe Azia Jugore. Shumica e vdekjeve u shkaktuan nga infeksione në rrugët e frymëmarrjes ose të gjakut.

Shkencëtarët thonë se keqpërdorimi i antibiotikëve për dekada me radhë ka bërë që mikro-organizmat të evoluojnë në “super mikrobe”.

Për shembull, njerëzit kanë infeksione virale dhe u janë dhënë për shumë vjet antibiotikë me recetë. Dhe kjo me kalimin e viteve e ka bërë problemin shumë të rëndë, pasi bakteriet janë bërë shumë rezistente ndaj këtyre antibiotikëve“, thotë prof. Sagona.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se asnjë nga 43 antibiotikët në zhvillim e sipër, ose të miratuar së fundmi nuk janë në gjendje ta kapërcejnë rezistencën e infeksioneve.

Pra, çfarë mund të bëhet? Prof. Sagona – së bashku me shkencëtarë në mbarë botën – po punojnë për trajtime të reja.

Janë viruse që sulmojnë në mënyrë specifike bakterjet. Dhe mund të përdoren në kombinim me antibiotikë ose veçmas për të pastruar infeksionet bakteriale të llojeve shumë rezistente.

Megjithë trajtimet e reja premtuese, shkencëtarët thonë se është jetike që antibiotikët ekzistues të mos përdoren më shumë nga ç’duhet – për të ndihmuar në ngadalësimin e zhvillimit të “super-mikrobeve” gjithnjë e më vdekjeprurëse.