Ballina Aktualitet FMN: Lufta Rusi-Ukrainë ngadalëson rimëkëmbjen ekonomike globale

FMN: Lufta Rusi-Ukrainë ngadalëson rimëkëmbjen ekonomike globale

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimin e tij për rritjen ekonomike globale të martën në 3.6% për këtë vit, duke thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë kërcënon një rimëkëmbje të brishtë të shkaktuar nga pandemia.

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kundër Moskës kanë ndërprerë tregtinë globale, kanë rritur çmimet e naftës, kanë kërcënuar furnizimet me ushqime dhe kanë rritur pasigurinë, teksa bota përpiqet të rikuperohet nga pandemia.

Të gjitha këto bënë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të ulë parashikimin e tij për ekonominë globale.

“Edhe para luftës, inflacioni në shumë vende ishte rritur për shkak të disbalancës kërkesë-ofertë dhe politikave mbështetëse gjatë pandemisë, duke nxitur një shtrëngim të politikës monetare”, thotë Pierre-Olivier Gourinchas, ekonomist i lartë i FMN-së.

FMN-ja uli parashikimin e saj të rritjes globale nga 4.4 përqind në 3.6 përqind; ndërsa Banka Botërore, nga 4.1 për qind në 3.2 për qind.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave kanë çuar në më pak prodhim dhe më shumë inflacion. Shtëpia e Bardhë fajëson Moskën.

“E kemi thënë këtë që në fillim se lufta në Ukrainë nga Presidenti Putin dhe Rusia do të ketë një ndikim të vazhdueshëm në ekonominë globale, qoftë në tregjet e naftës, apo aspekte të tjera, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Kësaj situate i shtohet një ngadalësim i ekonomisë kineze shkaktuar nga bllokimet e shpeshta nga varianti omikron i koronavirusit.

“Para së gjithash, Kina ka vendosur një karantinë prej një jave për mallrat që hyjnë në Kinë, që do të thotë se prodhuesit që përdorin pjesë nga vende të tjera, si Koreja e Jugut, nuk po i çojnë dot aty pjesët që u nevojiten për të prodhuar mallrat në Kinë. Së dyti, ka mbingarkesë në porte për shkak të bllokimeve, si në Hong Kong dhe Shangai”, thotë Diana Furchtgott-Roth me universitetin George Washington.

Një objektiv kyç për drejtuesit e bankave qendrore që marrin pjesë në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington këtë javë, është të frenojnë inflacionin pa e çuar botën në recesion – duke rritur gradualisht normat e interesit, mundësisht në mënyrë të koordinuar.

“Kjo do të parandalonte përhapjen e inflacionit nga një vend në tjetrin. Por është një detyrë delikate, sepse kemi tregje të kapitalit dhe tregjet e banesave që janë shumë aktive. Pra, nuk do të jetë e lehtë, të rriten normat e interesit për të goditur inflacionin, por pa çuar në recesion. Ndoshta inflacioni u la të rritet shumë, duke e vështirësuar uljen e tij të butë në këtë fazë”, thotë Desmond Lachman me Institutin American Enterprise.

Mes përpjekjeve perëndimore për të izoluar presidentin rus Vladimir Putin, koordinimi mund të jetë sfidues. Shtetet e Bashkuara po anashkalojnë disa nga takimet e ministrave të financave të grupit të G-20ës këtë javë, për të protestuar ndaj pjesëmarrjes së Moskës për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.