Ballina Ravijëzime Ka ikur koha e miteve të fantazuara!

Ka ikur koha e miteve të fantazuara!

 

Shkruan: Florim Zeqa         18.04.2022

Miti është një rrefim fantastik që shpjegon lindjen e elementeve natyrore, gjegjësisht të origjinës së botës dhe njerëzve. Protagonistë të miteve mund të jenë perenditë, njerëzit me fuqi të jashtëzakonshme, heronjt, përbindeshat dhe krijesat e tjera të fantazuara.

Edhe me këtë qeveri po vazhdon zbrazja e Kosovës

 Sikurse që i dimë meritat dhe dështimet, dëmet dhe pasojat e qeverive paraprake, po e shohim edhe paaftësinë qeverisë aktuale, e cila erdhi me premtime për ndryshime të mëdha, por deri më sot nuk po e shohim asnjë ndryshim pozitiv sa i përket përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të ardhmes së tyre në shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës!

Është e vërtetë e pamohueshme se qeveritë paraprake i thyen shpresat e qytetarëve duke i varfëruar ata skajshmërisht, duke ua shuar edhe dritën e fundit në tunelin e gjatë të shpresës, por, së paku deri më tani (për një vit qeverisje), qytetarët nuk po e shohin ende dritën në fillim dhe as në fund të tunelit nga ‘qeveria e shpresës’!

Si pasojë e kësaj situate, zbrazja e Kosovës nga të rinjët dhe popullata në përgjithësi po vazhdon me ritëm të shtuar, madje më të shtuar se asnjëherë më parë! Për shkak se qeveria aktuale, qytetarëve nuk ua dha asnjë sinjal sigurie për jetë dinjitoze në vendin e tyre.

Mungesa e përspektivës: sistemi i pabarabartë dhe i degraduar i drejtësisë, sistemi i mangët shëndetësor dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore në njërën anë, mungesa e zhvillimit dhe rënja e mirëqenjes qytetare shkaku i rritjes së çmimeve si pasojë e krizës ekonomike në anën tjetër është duke i shtyrë qytetarët ta braktisin Kosovën njëjtë sikurse në kohën e okupimit!

Mungesa e ligjit të punës, mungesa e nivelizimit të pagave, mungesa e kontratave kolektive ka krijuar pasiguri tek të punësuarit në sektorin publik dhe privat, të cilët njëri-pas tjetrit janë duke i braktisur vendet e punës për të ikur drejt vendeve të perëndimit për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë sa i përket aspektit social dhe shëndetësor.

Lënja e vendeve të punës nga mjekët dhe infermierët, përveq boshëllëkut të madh profesional ka krijuar pasiguri për jetën e qytetarëve dhe frikë për të moshuarit, të cilët rrezikojnë të mbeten pa përkujdesje shëndetësore!

Në anën tjetër, dita-ditës edhe sistemi arsimor është duke u kolapsuar shkaku i mungesës së personelit arsimor dhe mungesës enorme të nxënësve nëpër shkollat tona shkaku i migrimeve familjare!

Zhvillimi ekonomik rreziokhet nga mungesa e fuqisë punëtore

Në mos gjatë kësaj qeverie, në të ardhmen e afërt pas përmbylljes së dialogut me Serbinë, Kosova do të kthehet kah e mbara, do të kthehen investimet kapitale nga brenda dhe nga jashtë, të cilat do të gjenerojnë shumë vende të reja të punës, por problem do të jetë mungesa e fuqisë punëtore.

Kjo pashmangshëm do t’i detyrojë punëmarrësit për ngritjen e pagave të punëtorëve në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme (në të zezën) për ta tërhequr fuqinë punëtore nga vendet e rajonit, pse jo edhe nga mërgata e jonë për të zhvilluar veprimtaritë e tyre afariste.

Kjo do të çojë në nivelizimin e pashmangshëm të pagave me ato të Bashkimit Europian, jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin e Ballkanit. Njëherit, ky do të jetë edhe çelësi i stabilitetit afatëgjatë në Ballkan dhe jo vetëm.

Gjithçka mbetët në kujtesën popullore

Pavarësisht ndryshimeve që do t’na sjellë e ardhmja, qytetarët nuk do ta harrojnë të kaluarën e tyre. Nuk do t’i harrojnë vuajtjet dhe sakrificat e panumërta deri tek liria dhe pavarësia e vendit. Populli nuk do ta harrojë luftën dhe as robruesit e saj, nuk do t’i harrojë çlirimtarët dhe shpëtimtarët (UÇK-në dhe NATO-n), sikurse që uk do ta harrojë as pasluftën, nuk do t’i harrojë politikanët e pasluftës, nuk do t’i harrojë uzurpatorët dhe as rrënuesit e shtetit në luftën e tyre për pushtet!

Në asnjë mënyrë dhe rrethanë nuk duhet ekzagjeruar ndarjen e 100 milion eurove ndihmë për qytetarët nga qeveria aktuale për tejkalimin e krizës së thellë ekonomike, jo pse nuk janë të mirëseardhura, por pse janë tepër pak, të limituara (vetëm për 1 muaj) dhe të pa kategorizuara.

Nëse dikush ndjehet i hipnotizuar nga mashtrimi, nuk ka të drejtë të hipnotizojë të tjerët duke e “mitizuar” kryeministrin e vendit me “të dërguar të Zotit” (“pejgamer”), për arsyen e thjeshtë, se për kryeminsitrin aktual nuk e kemi të njohur asnjë sakrificë personale për popullin, nuk e kemi të njohur asnjë vepër të vetme dhe të dinjitetshme për të mirën e shtetit dhe qytetarëve.

Andaj, si i tillë çfarë është dëshmuar deri më tani, Albin Kurti nuk mund të krahasohet me asnjërën nga figurat historike, e aq më pak me Ibrahim Rugovën! Andaj është mirë të presim, siq e kishte thënë Adem Demaçi një të vërtetë të madhe pas daljes nga burgjet serbe; “Mos më këndoni dhe as mos më thurni vargje për së gjalli, nuk i dihet jetës, nëse deri më tani kam qenë i mirë dhe i dobishëm për ju, nesër mund të ndryshojë…!”