Ballina Kulturë Artistët e cirkut konsideroheshin nga nazistët si mashtrues

Artistët e cirkut konsideroheshin nga nazistët si mashtrues

 

Frieda Daniels është 89 vjeç. Ajo është pehlivane, akrobate dhe i përket komunitetit sinti. Ajo dhe familja e saj u përndoqën nga nazistët.

Kur Frieda eci për herë të parë në litar, në vitin 1938, Hitleri kishte tashmë pesë vjet në pushtet. Në atë kohë shteti nazist deportonte në kampet e përqendrimit sintit dhe romët, të cilët nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga profesioni i tyre. Disa ishin tregtarë, muzikantë apo artistë. Që në vitin 1933 këto profesione konsideroheshin si “zanate joproduktive ose mashtruese”.

Në fakt një temë e trishtueshme: persekutimi nazist i gjithë familjes së saj dhe mungesa e dëmshpërblimit. Megjithatë Frieda Daniels, me mbiemrin e vajzërisë Lemoine, qesh shumë dhe me zë të lartë. Mesa duket këtë e ka bërë shumë shpesh në jetën e saj. Rrudha buzëqeshjeje ia rrethojnë sytë dhe gojën. Nuk duket si 89 vjeçare, më shumë si 60. Ish-pehlivania  edhe sot ka të vendosur në kopsht një litar, mbi të cilin balancon.

Për herë të parë Frida hipi në litar për akrobaci kur ishte pesë vjeç. Në Stade, në Niedersachsen. “Të gjithë mbanin frymën, shikonin dhe unë kalova mbi litar. Të gjithë njerëzit në treg vinin te litari i vendosur lart. Në fund të gjithë më jepnin pak para, ishte shumë bukur!”. E gjithë familja e Friedës ishin kërcimtarë në litar në lartësi. Vendbanimi i tyre i përhershëm ishte Hamburgu, por gjatë sezonit ata udhëtonin nëpër Gjermani me kamper për të shfaqur artin e tyre.

Ndalimi i profesionit e goditi familjen e Friedës në vitin 1942. Ata u penguan që të largoheshin nga vendi, ku u ishte bërë regjistrimi. Për regjimin nazist kjo ishte përgatitje për deportim dhe shfarosje. Të prekurit duhej të qëndronin në një vend. Familja e Friedës dhe shumë sinti dhe romë të tjerë nuk ishin më në gjendje të ushtronin profesionet tyre. Ata u zhytën në varfëri.